Nis sot CENSUSI, Pollo: Të mos bojkotohet procesi
Nis sot procesi i regjistrimit të popullsisë. Dje, një ditë para se 12 mijë anketuesit e INSTAT-it të nisin regjistrimin e popullsisë derë më derë, të quajtur CENSUS, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, bëri thirrje të mos bojkotohet procesi. Deri më 21 tetor të gjithë shtetasit rezidentë në Shqipëri duhet të plotësojnë 40 pyetjet e pyetësorit, i cili rezultatin final do ta japë në vitin 2012. CENSUSI, i cili llogaritet i 11-ti pas shpalljes së pavarësisë, do të kushtojë 14 milionë euro. Ndërsa 1 milion lekë të vjetra është gjoba për të gjithë ata që mashtrojnë me të dhënat personale apo refuzojnë plotësimin e formularit. Një familjar mund të përgjigjet dhe për të tjerët, nëse ata nuk ndodhen në shtëpi, ndërsa pyetjet e fundit, ato për fenë dhe etninë janë fakultative dhe në rast se 5% e shqiptarëve refuzojnë t’i përgjigjen, nuk mund të merren në konsideratë dhe si rrjedhojë nuk përfshihen në rezultatin final.