E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Rritja ekonomike do arrijë në 3 për qind për 2009

 

Këtë vit rritja ekonomia do të jetë 3 për qind. Sipas raportit më të fundit të BERZH-it, “Ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja prej 6.8 për qind e vitit 2008. Në vazhdim të një rënie ekonomike të mëtejshme të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010”. Sipas bankës, pasojat e plota të krizës në ekonominë shqiptare kanë filluar të ndihen vetëm në gjysmën e dytë të vitit. Peter Sanfey, ekonomist i BERZH-it për Evropën Juglindore u shpreh se, “efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim. Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankave tregtare do t’u duhet të monitorojnë me kujdes portofolat e huave, ndërsa ekonomia rimëkëmbet pas krizës”. Sipas bankës, përsa i përket së ardhmes në disa shtete konkurruese në arenën ndërkombëtare si Shqipëria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, ku sistemet bankare para krizës ishin relativisht të forta, pritet një rritje relativisht më e shpejtë në vitin 2010, në një nivel ndërmjet 2 dhe 5 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›