Taksistët në protestë, Rama: Do ju mbështes
Konkurrenca e pandershme që ju bëhet taksive me licencë nga ato pa licencë ka detyruar këta të parët të dalin në protestë dje para Bashkisë së Tiranës. Kjo iniciativë e tyre duket se nuk ka shkuar kot sepse po dje kryebashkiaku Edi Rama ka takuar një përfaqësi të tyre. Së bashku me Ramën në takim kanë qenë të pranishëm edhe drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe kryeinspektori i Policisë Bashkiake. Kërkesa më imediate e taksistëve ka qenë ajo e marrjes së masave ndaj taksive që ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të palicensuar, një problem ky i ngritur jo pak herë. “Unë jam në krahun tuaj. Ju jeni në shërbim të qytetarëve të Tiranës, sipas të gjitha rregullave. Ju paguani taksa dhe unë dua t’ju ndihmoj, me të gjitha mundësitë e mia dhe të Bashkisë” është shprehur gjatë takimit Rama. Të dyja palët kanë diskutuar mbi zgjidhjet e mundshme që Bashkia e Tiranës mund të ofrojë, por problemin e vërtetë, Bashkia ja faturon bazës ligjore. Kuadri ligjor që ka të bëjë me ushtrimin e aktivitetit për taksitë është cilësuar si një pikë që duhet zgjidhur për t’i dhënë fund problemeve dhe konkurrencës së pandershme. Protesta e djeshme nuk është e para që zhvillojnë taksistët lidhur me problemin e taksive të tjera pa licenca. Kjo temë është prekur shpesh dhe pavarësisht masave që janë marrë herë pas here për kontroll, qarkullimi i taksive të palicencuara ka vazhduar.