BERZH: Rritja ekonomike për 2009 do jetë 3 për qind. Ja strategjia
Bordi i Bankës Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim, në një njoftim për shtyp, ka bërë publike strategjinë e re të investimeve në Shqipëri, duke analizuar edhe situatën aktuale në vend. Sipas BERZH politikat e shëndosha ekonomike, investimet e huaja në vazhdimësi, por edhe ekspozimi i kufizuar i Shqipërisë në tregjet globale ka ndihmuar në zbutjen e ndikimeve negative të krizës financiare botërore. “Edhe pse u pa një rënie e eksporteve dhe ulje të remitancave, ekonomia shqiptare vazhdon të regjistrojë një dinamikë pozitive, edhe pse në një nivel të ulët. Shqipëria pritet që të arrijë një rritje prej 3% në vitin 2009 dhe një tjetër rritje me 1.5% në vitin 2010”, thuhet në njoftimin e Bordit. Duke u kthyer tek strategjia e re, kjo e fundit nënvizon progresin e arritur nga Shqipëria në vitet e fundit përmes politikave të reformave, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin mbi të gjitha të klimës së biznesit në vend dhe që ka dhënë një shtysë në përafrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Përsa i përket planeve konkrete Bordi i Bankës Europiane për Rikonstruksion dhe Zhvillim ka caktuar pikat kyçe, ku do të përqendrohet mbështetja siç janë forcimi i institucioneve të shtetit, përmirësimit i mëtejshëm i klimës së investimeve në vend, vazhdimi i investimeve në infrastrukturë dhe sigurimi i zhvillimit të sistemit bankar. “Banka Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim do të mbështesë investime të mëtejshme në infrastrukturë, energji, projekte rajonale, duke inkurajuar qeverinë në ndjekje të partneritetit të mëtejshëm publik-privat dhe koncesioneve, në mënyrë që të tërhiqet kapitali privat”, thuhet në njoftim. Një tjetër prioritet i Bankës do të jetë edhe mbështetja e zhvillimit të sektorit korporativ duke ju dhënë hua të drejtpërdrejtë kompanive apo duke ju krijuar lehtësi atyre. Që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri BERZH ka investuar 545 milionë euro në një sërë sektorësh të ekonomisë nga të cilat 55 milionë euro gjatë këtij viti. Me një sërë projektesh të rëndësishme para, BERZH do të rrisë volumin e biznesit në Shqipëri në vitin 2010.