E Shtunë, 31 Tetor 2026

BERZH: Rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë 5.1 për qind, më e larta në rajon

24-07-2011 / Gazeta 55

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që Shqipëria edhe për këtë vit të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Parashikimet e bëra pak ditë më parë nga BERZH, Banka për Rindërtim dhe Zhvillim vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të rritet me 5.1 për qind gjatë vitit 2011, thuajse sa dyfishi i rritjes ekonomike të vendeve të rajonit.
Parashikimet e këtij muaji korrektojnë me 2.1 për qind rritjen ekonomike që ishte parashikuar në muajin maj. BERZH vlerëson se ndikimi kryesor në rritjen ekonomike të Shqipërisë, do të ketë performanca e mirë e sektorit të eksporteve dhe industrisë.
Të dhënat e publikuara nga BERZH për të gjitha vendet e Evropës Juglindore dukshëm distancojnë Shqipërinë me rritjen ekonomike më të madhe, 5.1 për qind, e cila lë mbrapa të gjitha vendet e rajonit si Bosnje Hercegovinën me 2 për qind, Bullgarinë me 2.3 për qind, Maqedoninë 3.1 për qind, apo edhe Malin e Zi, Serbinë dhe Rumaninë. Ndërsa në të gjitha vendet e Evropës Juglindore Shqipëria pozicionohet e treta për nga rritja ekonomike pas Estonisë dhe Lituanisë, për të cilat rritja ekonomike është parashikuar gjatë vitit 2011, të jetë 6 për qind.
Kësisoj, rritja ekonomike e Shqipërisë e mbështetur në performancën e eksporteve shqiptare këtë vit, e pozicionon vendin edhe më lart se Hungaria, Polonia apo Sllovenia e Sllovakia. Tabelat e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vënë në dukje dhe një tjetër zhvillim pozitiv të Shqipërisë, krahasuar me vendet e tjetra të rajonit, siç është kreditimi i sektorit privat me monedhë vendase dhe të huaj, ku Shqipëria krahasuar me Bosnjen dhe Maqedoninë qëndron më lart për nga mbështetja që i bën me kreditim sipërmarrjes. Investimet e huaja direkte, një tjetër pikë e fortë e zhvillimit ekonomik të një vendi, një indikator i rëndësishëm që e vlerësojnë edhe institucionet e huaja ndërkombëtare, dëshmon se Shqipëria pritet të jetë vendi i dytë më atraktiv në Evropën Juglindore.
Masa e vlerësimit të përgatitjes së investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare për vitin 2011, programohet të jetë 5.5 për qind. Kështu, Shqipëria bëhet një nga vendet më atraktive në Evropën Juglindore, duke lënë mbrapa jo vetëm vendet e rajonit, por edhe ato të Detit Baltik. Performanca shumë e mirë e ekonomisë shqiptare, edhe këtë vit do të mbështetet në sektorin e eksporteve i cili gjatë 2011-ës njohu rritje të mëtejshme. Sipas BSH eksportet shqiptare nisën trendin rritës që në muajin Janar, duke arritur më shumë se dyfishin e tyre në muajin shkurt, e po kështu edhe në muajin mars apo prill, eksportet njohën dyfishim të tyre, krahasuar me vitin 2010. Volumi i rritur i eksporteve gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2011, solli përmirësim të këmbimeve tregtare në favor të uljes së deficitit buxhetor.             

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›