Jemin Gjana: “PS nuk po i përgjigjet ftesës së mazhorancës për bashkëpunim”

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëherazi deputet i kësaj force politik, Jemin Gjana, deklaroi dje se mazhoranca është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues. Gjana tha se Shqipërisë i është kërkuar nga Brukseli realizimi i 12 komponentëve të Komisionit Evropian, si kusht detyrues për marrjen e statusit të vendit kandidat në tetor të këtij viti.
“Partia Demokratike dhe mazhoranca i janë drejtuar zyrtarisht opozitës së Partisë Socialiste, për dhënien e konsensusit në reforma. Por PS s’i është përgjigjur ftesës së pak ditëve më parë të PD-së, për ngritjen e tryezës së partive, për reformimin e ligjit elektoral. PD, është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën në kuvend”, tha Gjana.
Gjithashtu, përfaqësuesi i njohur i selisë blu, sqaron edhe momentet kyçe të mbledhjes së Këshillit Kombëtar.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, u bë një analizë e plotë e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Sipas z. Gjana, PD-ja kthehet në krye të Bashkisë së Tiranës pas një kohe të gjatë. “Konkluzioni më i rëndësishëm i Kombëtar të Partisë Demokratike, ishte që kjo parti paraqitet e gatshme të bashkëpunojë me opozitën, në përpjekjet për realizimin e reformës zgjedhore dhe ato për integrimin evropian”, deklaroi më tej deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana.