Vrasja me thikë në autobus, 19-vjet burg autorit
TIRANE – Goditja me thikë ndaj një 37-vjeçari, pas një sherri për një të shtyrë në autobus, rrezikon ta lërë me 19- vjet në burg, të pandehurin Nezir Malliku. Prokuroria e Tiranës paraqiti dje konkluzionet përfundimtare në çështjen gjyqësore në ngarkim të 42-vjeçarit të akuzuar për “vrasje me dashje”, në dëm të Arben Gogës. Sipas përfaqësuesit të akuzës në proces, i pandehuri Nezir Malliku, duhet të deklarohet fajtor për akuzën e ngritur ndaj tij dhe për këtë ai duhet të dënohet me 19- vjet burg. Shqyrtimi i dosjes së Mallikut në gjykatën e Tiranës, po zhvillohet në gjykim me kohë të shkurtuar, prej të cilit ai përfiton uljen e 1/3-ës së vendimit përfundimtar. Nezir Malliku u arrestu nga policia mbrëmjen e 11 janarit 2010, pak pasi kishte qëlluar me thikë një person, pas një zënke momentale me të. “I pandehuri Nezir Malliku, duke udhëtuar me autobusin e linjës Ndroq-Tiranë, në afërsi të vendit të quajtur rruga ‘Konferenca e Pezës’, është zënë me fjalë me viktimën Arben Goga, i cili udhëtonte bashkë me gruan I.Goga dhe djalin 3-vjeçar, për shkak, se i arrestuari gjatë lëvizjes ka goditur me bërryl fëmijën e viktimës. Për këtë arsye viktima i ka kërkuar faturinos së autobusit dhe shoferit të tij, që të ndalonte autobusin për të zbritur. Viktima ka zbritur së bashku me gruan dhe djalin rreth 300 metra pasi ishte kaluar sheshi ‘21 dhjetori’, duke ikur në drejtim të Ndroqit. Pas tij ka zbritur edhe i pandehuri Nezir Malliku, i cili i është afruar dhe e ka goditur viktimën një herë me thikë në pjesën e fytit”, - thuhej në kërkesën për gjykim të prokurorisë. ar.ba