BERZH: Vështirësi në miratimin e kredisë për Petroliferën
Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, të Ekolëvizjes, “Mjaftit” dhe disa organizatave të tjera të shoqërisë civile bënë një takim me një ekip të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që ndodhet aktualisht për takime në Tiranë, të kryesuar nga zv.Presidenti i saj, Varel Freeman. Shkak për këtë takim ishin kundërshtimet dhe protestat e shumta që i kanë mbërritur kësaj banke lidhur me projektet TEC dhe “Petrolifera”, të cilat kanë filluar të ndërtohen në Gjirin e Vlorës. Sikurse dihet, BERZH është kreditori më i madh në ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Kësaj banke i është drejtuar gjithashtu me kërkesën për të përfituar një kredi prej afër 40 milionë eurosh, kompania “La Petrolifera” që ka nisur ndërkaq punimet në Vlorë për terminal dhe depozita nafte. Vendimi i bordit të BERZH-it për Petroliferën, i caktuar më së pari për në janar të këtij viti, u shty pas ankimimeve masive që u bënë prej AGJMV dhe përfaqësuesve të tjerë të shoqërisë civile si dhe organizatës Bank Watch. Në takimin e djeshëm, Ardian Klosi, Xhemal Mato, Lavdosh Ferruni, Merita Mansaku-Meksi i shprehën zotit Freeman dhe ndihmësve të tij shqetësimet që ka ngjallur në vendin tonë përkrahja nga ana e BERZH-it e disa projekteve, të cilat kanë impakt negativ në ekosistemin bregdetar dhe zhvillimin e turizmit, veçanërisht në Gjirin e Vlorës. Ata i kujtuan drejtuesve të kësaj banke se si lidhur me TEC-in, ashtu edhe me elementet e tjerë të “Parkut Energjitik” Vlorë, Komisioni i Përputhshmërisë me Konventën e Aarhusit ka vlerësuar se qeveria shqiptare dhe bankat kredidhënëse nuk kanë bërë informimin e duhur të publikut dhe s’kanë tërhequr pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje, çka përbën shkelje të kësaj Konvente në nenet 6 e 7. Gjithashtu ata theksuan protestat e shumta që janë zhvilluar në Vlorë e më gjerë kundër këtyre veprave në vitet e fundit. Lidhur me ndërtimin e TEC-it, z.Freeman tha se është ngarkuar një Organizëm për Vlerësim të Pavarur, që të rishikojë gjithë procesin e miratimit të TEC-it Vlorë. Ndërsa, përsa i takon “Petroliferës”, ai nënvizoi se vendimi i bordit të kësaj banke për kreditimin e depozitave të naftës së kësaj kompanie, pasi u shty, është caktuar për në muajin maj dhe se, veç vlerësimeve që kanë të bëjnë me impaktin mbi mjedisin, janë dhe të tjerë faktorë që lidhen me natyrën e këtij biznesi, ato që do të përcaktojnë vendimin e BERZH-it. Zv.presidentit të BERZH, Freeman, iu kujtua se BERZH është një Bankë për Rindërtim e Zhvillim dhe nuk mund të bëhet krah i një biznesi thjesht privat, i cili për më tepër përfaqëson kanosje për të ardhmen turistike të Vlorës. Në fund, përfaqësuesit e Aleancës i dorëzuan z.Freeman në mënyrë simbolike projekt-tablonë “Porti i jahteve, Vlorë”, konceptuar për t’u ngritur pikërisht në zonën ku “Petrolifera” synon të realizojë depozitat e saj.