E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, buka me miell të cilësisë së fundit

Prodhuesit: Ruajtja e çmimit të bukës standarde, ka sjellë edhe cilësinë e dobët në treg

Duke ruajtur një çmim prej 80 lekë për bukën standarde, prodhuesit e këtij produkti janë duke përdorur miellin e cilësisë më të dobët që mund të gjendet në tregjet ndërkombëtare. Burime nga importuesit e këtij produkti sqarojnë se mielli blihet në tregjet ndërkombëtare me ndërmjetës, duke e rritur më tej çmimin e miellit që vjen në tregun vendës. Kërkesa në vend për grurë shkon në 1200-1400 ton në ditë, duke u përkufizuar mesatarisht me ardhjen e një vapori në portet tona. Por duke mos pasur asnjë ndihmesë fiskale, në kushtet kur bota, sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar, po përballet me krizën më të madhe të dritharëve, tregu vendës është i detyruar që të prodhojë bukë me miellin e cilësisë më të ulët që ka një çmim prej 68 lekë për kilogramë, deri në 78 lekë për kilogramë. Ndërsa prodhuesit bëjnë të ditur se cilësia e mirë e miellit që përdoret për të prodhuar bukë të cilësisë së mirë ka një çmim që fillon nga 120 lekë për kilogramë, deri në 280 lek për kilogram.

Prodhuesit, 33% në informalitet

Një nga problemet që ka sjellë edhe standarde minimale në drejtim të cilësisë së prodhimit dhe të tregtimit të bukës, është informaliteti. Vetë prodhuesit, por edhe burime nga tatimet sqarojnë se mbi 30 për qind e furrave të bukës që zhvillojnë aktivitetin e tyre në vend janë informale. Jo më larg se 1 muaj më parë, Ministria e Bujqësisë realizoi një takim me përfaqësues të prodhuesve të bukës në të gjithë vendin, për standardet që do të zbatoheshin në këtë treg, duke qenë edhe baza për të luftuar informalitetin. Por gjatë kësaj periudhe kohe që ka kaluar s’është bërë asgjë në këtë drejtim. Buka vazhdon që të shitet pa asnjë lloj rregulli dhe higjiene në të gjitha pikat e shitjes të mundshme, pavarësisht se Ministria e Bujqësisë premtoi se ajo do të tregtohej vetëm në furra, duke përjashtuar pikat e tjera të shitjes. Nga ana tjetër edhe urdhri për të shitur me etiketë në emrin e furrës produktet, tashmë ka dështuar që një nisje. Sipas prodhuesve, mungesa tërësore e këtyre masave ka bërë që konsumatori të jetë tërësisht i pambrojtur për produktin që blen.

Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 mijë furra buke, nga të cilat vetëm 650 prej tyre janë të licencuara, ndërsa pjesa tjetër punon në informalitet duke cenuar cilësinë dhe standardin e këtij produkti që hyn në kategorinë e mallrave të domosdoshëm.

Cilësia

Duke qenë nën presionin e rritjes së vazhdueshme të çmimit të miellit, të vajit ushqimor dhe naftës, prodhuesit e bukës kanë ulur peshën e këtij produkti duke mos rritur çmimin. Një masë e tillë, që është një rritje e fshehur e çmimit, ka ardhur vetëm për shkak të mungesës së kontrollit nga ana e Ministrisë së Bujqësisë dhe autoriteteve në varësi të saj. Nga ana tjetër prodhuesit e bukës ankohen për shkak të cilësisë së dobët të miellit, i cili nuk arrin që të ketë rrezen e duhur për prodhimin e bukës. Një situatë e tillë, sipas specialistëve të këtij sektori mund të përmirësohej nëse qeveria do të merrte lehtësira fiskale, në mënyrë që çmimet e rritura të grurit të mos ulin në minimum cilësinë e bukës në treg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›