E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRTRSH, legalizon 32 zonat e fundit informale

“Pas këtij vendimi, mendoj se për të gjitha këto zona duhet të procedohet me shpejtësi për pajisjen me titujt e pronësisë të të gjithë pronarëve të rinj të tyre. Është shumë e rëndësishme që ky proces të fillojë sa më shpejt dhe në këtë mënyrë, ky kapital i ngrirë të çlirohet e të hyjë në treg në një periudhë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit”, tha Berisha.

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit ka miratuar për t’u legalizuar edhe 32 zona të tjera informale në të gjithë vendin. Në zonat e miratuara dje, 7 zona janë në Vlorë, 2 në Durrës, 3 në Lezhë, 11 në Shkodër, 1 në Tiranë dhe 8 zona informale janë në Korçë. Ky është blloku i tretë i zonave informale që ALUIZNI paraqitet në KRRTRSH për miratim. Por pavarësisht se deri tani ALUIZNI ka miratuar 100 zona informale në të gjithë vendin, përfundimi i procesit dhe futja e këtyre pasurive në tregun imobiliar mbetet ende larg. Drejtori i Agjencisë së Legalizimeve Urbanizimit dhe Informalizimit të Ndërtimeve Informale, Shaban Memia bëri të ditur dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë se janë edhe 80 mijë pasuri nën 5 hektarë në proces përpunimi, që i përkasin ndërtimeve individuale në njësi të ndryshme administrative. "Ndërsa 120 mijë pasuritë që janë paraqitur për legalizim pranë KRRTRSH-së janë përpunuar dhe plotësojnë kriteret ligjore për legalizim pasi plotësojnë standardet ligjore",- u shpreh Memia. Sipas Memisë, deri tani janë përpunuar 120 mijë pasuri me mbi 5 hektarë, me një sipërfaqe ndërtimore prej 3000 ha dhe me një kosto që futet në treg prej 6 miliardë eurosh që janë miratuar në KRRTRSH, ndërsa 80 mijë pasuri të tjera janë në proces legalizimi. Memia tha se gjithsej janë 200 mijë pasuri të identifikuara në terren, ndërsa janë edhe rreth 150 mijë shtesa individuale pallatesh të ndërtuara para dhe pas vitit 1993, të cilat do të përpunohen nga specialistë të ALUIZNI-t. Në mbledhjen e ditës së djeshme janë miratuar edhe studimet urbanistike të qendrave të qytetit të Beratit, Fierit dhe Kuçovës, si dhe studimin urbanistik pjesor dhe sheshin e ndërtimit për objektin "Impianti i bluarjes së klinkerit në Sallmone, Xhafzotaj, në Durrës me investitor Shqipëria, Cement Kompani. Sipas urbanistes së Co Planit, Anila Gjika, detyra e projektimit të planit rregullues të qytetit të Beratit është bashkë-financuar nga Bashkia e qytetit, si dhe Co Plan. "Plani Urbanistik i qytetit vjen me moton e një mbi një çative, të një mijë e një mundësive, i cili ka udhëhequr edhe të gjithë procesin për hartimin e detyrës së projektimit", u shpreh Gjika. Sipas Gjikës, studimi urbanistik është bazuar mbi një mekanizëm organizativ të paraqitur nga një strukturë që mundëson detyrën e projektimit, si dhe siguron edhe bashkëpunimin ndërmjet bashkisë së qytetarëve dhe grupeve të interesit. Specialistë urbanistikë të bashkisë së qytetit të Fierit, u shprehën se miratimi i projektit të qendrës së këtij qyteti, vjen pas miratimit nga KRRTRSH të Planit të Përgjithshëm Rregullues të miratuar më parë. Specialistët thanë se për sa i përket detyrës së projektimit të studimit pjesor të qendrës së Fierit, e cila ka një sipërfaqe prej 24 hektarë, element kryesor janë dy rrugët kryesore që përshkojnë qendrën e qytetit. Sipas tyre, qendra ka dy miniqendra, ajo tregtare dhe ajo administrative. Specialistët theksuan se e gjithë qendra është e ndarë në minizona. Ndërsa, sipas tyre, Bashkia e Fierit që nga 2003 nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në qendrën e Fierit. KRRTRSH miratoi gjithashtu edhe studimin urbanistik pjesor dhe sheshin e ndërtimit për objektin "Impianti i bluarjes së klinkerit në Sallmone, Xhafzotaj, në Durrës me investitor Shqipëria, Cement Kompani''. Në mbledhjen e të premtes, KRRTRSH miratoi edhe ngritjen e një qendre strehimi në fshatin Karrec në zonën e Maminasit në Durrës, për strehimin e shtetasve të huaj që hyjnë në mënyrë të parregullt në territorin shqiptar.

Vendime të KRRTRSH-së

- “Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Beratit”

- “Detyra e projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Kuçovës”

- “ Detyra e projektimit të për studimin urbanistik të zonës së qendrës së qytetit të Fierit”

- “Shesh dhe leje ndërtimi për objektin me sipërfaqe 15.238 metër/katror “Qendra e mbyllur e pritjes së emigrantëve të parregullt”, në fshatin Karrec-Maminas, Durrës, me investitor Ministrinë e Brendshme.

- “Studimi urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin “Impianti i bluarjes së Klinkerit “ Sallmone-komuna Xhafzotaj, me investitor “Shqipëria Cement Company”.

- “Studim urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin me sipërfaqe 22.565 metra/katror “Vend grumbullimi i mbetjeve të rrezikshme në Uzinën e Metalurgjisë së Bakrit, në Rubik”. 

Legalizimet në 32 zona

Sipërfaqja 1 316 hektarë

Numri i pasurive 11 mijë

Vlorë 7 zona

Durrës 2 zona

Lezhë 3 zona

Shkodër 11 zona

Tiranë 1 zonë

Korçë 8 zona

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›