E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja, kinezët tërhiqen nga realizimi i projekteve të mëdha

Vazhdon publikimi i letrës që Tirana zyrtare i nisi Pekinit

Vijon nga numri i kaluar

Për çështje konkrete ekonomike në mes dy partnerësh, midis dy shtetesh, është e natyrshme të lindin probleme të ndryshme, për zgjidhjen e të cilave është e nevojshme dhe e domosdoshme të zhvillohen diskutime. Por udhëheqja kineze nuk e ka ndjerë të nevojshme të zhvillonte diskutime normale, pse donte t’i impononte Shqipërisë mendimet e saj. Pala kineze, jo sot, por për një periudhë kohe të gjatë, për çështjet ekonomike ka ushtruar ndaj Shqipërisë presione të shumta në forma e mënyra të ndryshme...Gjatë bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjeve për dhënien ndihmë ekonomike në kredi nga Kina, e pastaj edhe për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, janë bërë debate të shumta dhe janë kundërshtuar me sukses nga pala shqiptare pikëpamjet e udhëheqjes kineze që kërkonte t’i impononte Shqipërisë një zhvillim ekonomik të njëanshëm, të frenonte përparimin e shpejtë e të sigurt të saj. Në debatet e zgjatura, presioni i udhëheqjes kineze ka arritur gjer në atë shkallë, saqë pala kineze të hiqte dorë nga projektimi i Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe i atij të Fierzës, me qëllim që ne të mos ndërtonim fare këto objekte industriale shumë të rëndësishme. Udhëheqja kineze mendonte se Shqipëria, meqë, sipas saj, nuk kishte forca teknike për të projektuar vetë të tilla hidrocentrale të mëdha, e të vështira, do të hiqte dorë nga ndërtimi i këtyre objekteve. Por më në fund ajo u detyrua të pranonte dhënien e kredisë, mbasi pala shqiptare mori përsipër që t’i projektonte vetë këto dy hidrocentrale. Dhe këto dy hidrocentrale u projektuan dhe u ndërtuan nga specialistët shqiptarë, kurse specialistët kinezë kanë luajtur rolin jo të projektuesit, por të konsulentit. Faktet dhe dokumentet e shumta tregojnë se në momente të caktuara, sa herë që politika kineze ka marrë kthesa të mëdha, me të cilat Partia dhe Qeveria Shqiptare nuk janë bashkuar, Qeveria Kineze i ka shoqëruar ato me presione e masa shtrënguese ekonomike nga më të ndryshmet. Këto qëndrime janë një përgënjeshtrim flagrant i deklaratave të bujshme dhe të përsëritura të Qeverisë Kineze, sipas të cilave në dhënien e ndihmës vendeve të tjera Qeveria Kineze respekton me përpikëri sovranitetin e vendeve që marrin ndihmë dhe nuk e shoqëron kurrë atë me kushte, ose nuk kërkon asnjë privilegj. Në notën kineze thuhet se “pala shqiptare, si rezultat i nevojave të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme, me dashje ka shpifur për ndihmën e Kinës ndaj Shqipërisë”. Kjo tregon shpirtin intrigant të udhëheqjes kineze dhe dëshirën e saj që ta shohë Shqipërinë të robëruar politikisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht nga social imperializmi sovjetik ose nga imperializmi amerikan e borgjezia reaksionare. Udhëheqja kineze flet kështu pse mendon se Shqipëria qenka e izoluar, se ajo merrte frymë dhe rronte në sajë të Kinës dhe tashti paska mbetur në mes të rrugës dhe do të bjerë si një gjah në pritën e imperialistëve ose social-imperialistëve. Kështu kanë menduar e folur dikur edhe Hrushovi e Mikojani se Shqipëria do të shitej për tridhjetë aspra, se ajo do të vdiste për bukë pas 15 ditësh pa ndihmat sovjetike! Por jeta tregoi se Shqipëria as u shit, as vdiq për bukë. Ajo eci përpara në ndërtimin e socializmit me sukses të madh. Dhe kjo u bë jo në sajë të ndihmës kineze, por në sajë të punës heroike e të luftës së lavdishme të popullit shqiptar. Edhe në të ardhmen populli shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë, duke u mbështetur në forcat e veta do të ecë gjithmonë fitimtar në rrugën e socializmit, duke u treguar me shembullin e vet miqve dhe popujve forcën dhe vitalitetin e pamposhtur të marksizëm-leninizmit, forcën e socializmit, forcën e popullit. Në luftën tonë për ndërtimin e socializmit dhe mbrojtjen e atdheut, në përpjekjet tona për të përballuar e kapërcyer me sukses vështirësitë që i krijohen vendit tonë nga veprimi armiqësor i Qeverisë Kineze, ne kemi e do të kemi edhe më tepër ndihmën internacionaliste të revolucionarëve të vërtetë, të popujve liridashës e të njerëzve përparimtarë në të gjithë botën. Shqipëria kurrë nuk ka qenë e izoluar, ajo kurrë nuk do të mund të izolohet. Planet e zhvillimit të Shqipërisë, të caktuara nga Partia do të realizohen në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe ato objekte që Kina i la pa përfunduar, si dhe veprat e tjera të reja që do t’u shtohen këtyre me punën vetëmohuese, me vendosmërinë e popullit dhe me forcat e veta që zbatohen midis partive të vërteta komuniste. Sa herë që ajo ka konstatuar te Partia Komuniste e Kinës qëndrime e veprime që bien në kundërshtim me marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, në kundërshtim me interesat e socializmit e të revolucionit, ia ka vënë asaj në dukje gabimet dhe e ka kritikuar atë në mënyrë shoqërore. Për këtë ekzistojnë dokumente të shkruara, të Partisë e të shtetit tonë, të cilat ju i dispononi. Por cili ka qenë qëndrimi i udhëheqjes kineze? Ndërsa mbështetja dhe mbrojtja që i ka bërë partia e Punës e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare Kinës Popullore mirëpritej dhe lavdërohej me të madhe nga ajo., vërejtjet e drejta e parimore të Partisë sonë nuk janë mirëpritur asnjëherë nga pala kineze. Udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës nuk ka dashur asnjëherë të zbatoheshin normat e metodat leniniste në marrëdhëniet midis partive.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 30 korrik 1978
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

19 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›