Kosovë, Thaçi raporton 100 ditët e suksesshme të qeverisë
Gjatë kësaj kohe është siguruar siguri dhe vendime historike si pavarësia
Opozita kundër: Programi i qeverisë, si i organizatave joqeveritare
100 ditët e qeverisjes Thaçi dhe prezantimi i gjendjes së përgjithshme të shtetit të ri kanë qenë në qendër të seancës së djeshme plenare të Kuvendit në Kosovë. Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka dalë para deputetëve të kuvendit për të raportuar 100 ditët që ai vetë i ka konsideruar të suksesshme. Sipas tij qeveria e tij ka qenë e aftë të krijonte rend, qetësi, siguri, stabilitet, fillim të zhvillimit ekonomik dhe vendime historike si ai i shpalljes së pavarësisë. Në të njëjtin mendim me kryeministrin kosovar nuk kanë qenë deputetet e kuvendit të cilët kanë reaguar menjëherë. Pozita dhe opozita kanë ndarë mendime të kundërta lidhur me programin qeverisës së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se programi është mbështetur në rritjen ekonomike, implementimin e statusit, qeverisje të mirë dhe zbutje të varfërisë. Sipas Thaçit, ky program i siguron Kosovës zhvillim dhe mirëqenie, duke garantuar të drejta për komunitete dhe zhvillim të kapaciteteve qeverisëse në Kosovën e pavarur. Programin qeverisës është mbështetur nga PDK-ja që udhëheq me ekzekutivin kosovar dhe LDK-ja që është në koalicion me PDK-në. Kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe programit të saj ka pasur nga opozita. Sipas deputetëve të AKR-së programi i qeverisë Thaçi është ndërtuar mbi bazën e dëshirave e qëllimeve, por nuk ka bazë ku të implementohen gjithë projektet kapitale të paraqitura. Deputeti i AAK-së, Ardian Gjini u shpreh se qeveria, jo vetëm që nuk ka funksionuar për këto 100 ditë, por, sipas tij, ajo nuk ka as program të saj, pasi plani i paraqitur ngjan me planet e organizatave qeveritare. Ndërsa njëri nga deputetët e LDD-së, e ka quajtur skandaloz programin e qeverisë Thaçi. Opozita ka shprehur kritikat e saj edhe ndaj organizimit të seancës së djeshme duke e konsideruar atë si shumë të ngarkuar. Që nga formimi i saj më 9 janar, kjo ishte hera e parë që qeveria e koalicionit PDK-LDK ka paraqitur punën dhe programin e saj para Kuvendit. Në këtë seancë presidenti Fatmir Sejdiu ka prezantuar gjendjen e përgjithshme të vendit. Ai ka kujtuar se Kosova tashmë është njohur nga 37 vende dhe shteti i ri do të jetë i hapur për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet sidomos me fqinjët e saj.
Në këtë aspekt, Sejdiu tha se shteti fqinjë Serbia tenton të organizojë zgjedhje të lira në Kosovë, por Kosova, shtoi ai, nuk mund të jetë qendër votimi e asnjë vendi tjetër. Presidenti tha se Kosova do të jetë vend demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht.
19 Prill 2008