E Diel, 1 Nëntor 2026

BERZH, aksioner me 12.5% tek Union Bank 3 milionë euro



Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka kërkuar të jetë aksionere me 12.5 për qind pranë Union Bank në Shqipëri. Burimet zyrtare të Bankës së Shqipërisë bënë me dije dje se pranë BSH-së, është paraqitur kërkesa nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për marrjen e miratimit paraprak për zotërimin e pjesëmarrjes prej 12.5% të aksioneve të Bankës Union sh.a. Kërkesa është mbështetur në ligjin “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe në rregulloren “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës.

Asambleja e Jashtëzakonshme e Aksionerëve të Bankës Union sh.a. mbledhur në datë 18 prill 2008, ka miratuar nënshkrimin e 157,143 aksioneve të reja me vlerë nominale 10 euro dhe me një çmim total prej 3,000,000 eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nëpërmjet kësaj kontrate do të fitojë pronësinë e 12.5 për qind të kapitalit aksioner të Bankës Union sh.a. Ky investim, i cili do të realizohet në kuadër të projektit “ Programi Italian, Fonde për Sipërmarrjet Lokale të Ballkanit Perëndimor” ka për qëllim mbështetjen e mëtejshme të veprimtarisë së kredidhënies së Bankës Union si dhe strategjisë së saj për një rritje të shpejtë. Projekti, aktualisht po financon në rindërtimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor kryesisht me anë të investimeve në kapitalin aksioner, por edhe me forma të tjera financimi për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Pritet që Banka e Shqipërisë të shqyrtojë kërkesën depozituar nga BERZH-i për të vendosur për kalimin e aksioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›