E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja, Rama sot përballë kritikëve



Ish-drejtues të PS-së, mes tyre edhe Servet Pëllumbi, pritet që të shprehin kritikat e tyre lidhur me opozitën e butë të partisë në gjashtë muajt e fundit. Pritet që zërit të Braçes t’i bashkohen edhe figura të tjera

Në prag të nisjes së përgatitjeve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare rritet oponenca në selinë rozë. Zëra të ndryshëm brenda kësaj partie, drejtues aktualë dhe ish-drejtues mendojnë se lidershipi socialist duhet t’i japë fund bashkëpunimit me mazhorancën dhe opozitës së dobët. Këto mendime të ndryshme priten të krijojnë përplasje gjatë ditës së sotme në mbledhjen e radhës së Asamblesë Kombëtare në Fier. Debati që u kristalizua më së miri në mbledhjen e kryesisë së PS-së pak ditë më parë dhe që më pas mori përmasa mediatike pritet të zhvendoset sot mes anëtarëve të AK-së. Ish-drejtues të PS-së, mes tyre edhe Servet Pëllumbi, pritet që të shprehin kritikat e tyre lidhur me opozitën e butë të partisë në gjashtë muajt e fundit. Pritet që zërit të Braçes t’i bashkohen edhe figura të tjera. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë që u zhvillua në muajin prill në Vorë, ish-drejtuesi i PS-së, Servet Pëllumbi, lëshoi kritika të ashpra lidhur me artikulimet e Ramës gjatë turit “Dialog me Shqipërinë”. Sipas Pëllumbit, PS-ja nuk mund të jetë përtej së majtës dhe së djathtës, sepse është parti me program të majtë. Por nëse kritikat e Pëllumbi nisën me risitë e Ramës, ato vazhduan me tone më të forta gjatë ditëve të fundit. Pëllumbi është shprehur se PS-ja po bën një opozitë të qetë, herë-herë të tërhequr dhe aspak këmbëngulëse. Ndërsa ish-presidenti Mejdani është shprehur kundër ndarjes se figurave të PS-së me politikë e vjetër dhe politike e re, në një kohë kur sipas tij, vetë ideatori i kësaj ideje është pjesë e politikës së vjetër. Zëra si Pëllumbi, Mejdani dhe së fundmi edhe Braçe, kanë thyer heshtjen disamujore duke lëshuar kritika në adresë të kreut të partisë, çka riktheu zërin oponent në parti.

Mbledhja

Asambleja Kombëtare pritet që të miratojë gjithë materialin i cili kaloi më parë në kryesinë e PS-së. Burime nga selia rozë thanë dje se nuk do të përfshihet raportimi për Kodin Zgjedhor, i cili në kryesi u prezantua nga sekretari për çështjet ligjore, ndërsa do të marrin miratimin përfundimtar axhenda e PS-së nga muaji korrik-dhjetor i 2008-ës. Njëkohësisht, anëtarët e Asamblesë do të marrin në dorë edhe raportimin e sekretarit organizativ, Blendi Klosi, lidhur me ecurinë e zgjedhjeve në organizatat socialiste si dhe raportimi i ecurisë së turit “Dialog me Shqipërinë”. Në realitet edhe pse paraqitet një sukses i plotë i PS-s]ë, është shoqëruar me probleme si devijime nga tema e përcaktuar, mosshpërndarje të materialeve në destinacionin e duhur, në disa qytete është vënë re mungesa e mospërfshirjes së figurave të njohura, duke zhvilluar tryeza me gamë mjaft të ngushtë etj. Lidhur me këto probleme mësohet se në mbledhjen e kryesisë kanë pasur disa vërejtje, duke u shprehur se përse turi paraqitet si një sukses i plotë, kur ka pasur edhe probleme të tilla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›