E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia e PS-së: Ku dështoi turi i Ramës



Trumbetimi që i është bërë turit të kreut socialist nëpër rrethe duket se ka qënë më shumë një flluskë sapuni. Edhe vetë socialistët pranojnë “dështimin” e tij në disa pika bazë. Në kryesinë e fundit turit të Edi Ramës i është bërë skaneri nga sekretarët e partisë, të cilët kanë evidentuar problemet. Kështu, sipas raportit të kryesisë faza e parë e turit “Dialog me Shqipërinë”, shtylla kryesore e aksionit politik të PS-së nuk mund të konsiderohet një sukses. Pavarësisht raporteve me nota pozitive në selinë rozë, ai është shoqëruar me probleme të shumta të cilat evidentohen qartë në dokumentin e sekretariatit ekzekutiv të partisë. Raporti pritet të marrë “OK” në Asamblenë Kombëtare të kësaj partie në qytetin e Fierit. Dokumenti mban firmën e sekretarit për çështjet ligjore dhe koordinimit, Fatmir Xhafa, si dhe të sekretarit për programin, Andis Harasani. Problemet janë përmbledhur në shtatë pika të cilat bëjnë fjalë për probleme me karakter teknik dhe probleme të mëdha organizimi. Në tërësi turi konsiderohet plotësisht i suksesshëm, duke perifrazuar që PS-ja është shumë më afër me qytetarët. Por në fund të këtij raportimi theksohet se gjatë turit janë vënë re devijime nga tema, kjo sepse fokusohej tek konfliktet politike të ditës. Njëkohësisht një akuzë ngrihet për strukturat e partisë në disa njësi vendore. Sipas drejtuesve të selisë rozë ato kanë mbajtur të ngushtë rrethin e kontribuuesve në tryeza. Gjatë gjithë këtyre muajve duket se ka pasur mjaft probleme të organizimit. Kështu, ka pasur raste ku materialet dhe enciklikat apo formularët nuk e kanë arritur destinacionin e duhur. Vërehet se në një numër megjithëse të vogël rrethesh ka pasur mangësi në koordinimin e punës dhe në organizimin e takimeve, ndërsa në një pjesë të rretheve ka munguar axhenda e vazhdimësisë, e cila presupozon vazhdimin intensiv të punës dhe pasi kanë mbaruar tematikat mujore. Ajo çfarë duket mjaft serioze në mosfunksionimin e duhur të turit që drejtohet nga Rama, është se komisionet rajonale akoma nuk e kanë marrë rolin e duhur e ngarkuar nga kryesia dhe AKS-ja e PSSH-së. Njëkohësisht vërehet se vetëm në muajt e fundit është bërë më mirë mbulimi mediatik lokal nga ana e drejtuesve të partisë në qendër dhe njësi vendore. Në tërësi, faza e parë e këtij turi konsiderohet një sukses i plotë për PS-në, pavarësisht këtyre probleme që herë pas here kanë ndikuar negativisht në perceptimin e mesazhit që ka dashur të japë Rama tek njerëzit që ka takuar. Në analizat e mëparshme të këtij turi, kryesisht në dy asambletë e fundit, turi vlerësohej maksimalisht, me probleme të vogla, por që nuk ndikonin në funksionimin e duhur të tij. Nga ana tjetër, PS-ja e ka konsideruar këtë tur si mjaft të rëndësishëm për aksionin politik të saj, duke e konsideruar njëkohësisht edhe një parafushatë për zgjedhjet e 2009-ës.

Detaj

Një akuzë ngrihet për strukturat e partisë në disa njësi vendore. Sipas drejtuesve të selisë rozë ato kanë mbajtur të ngushtë rrethin e kontribuuesve në tryeza

Analiza, lihen në harrosë dy turet e tjera të Ramës

“Gjykoni punën time” dhe “Thuaje fjalën tënde”, dy ture paralele me atë që drejton Rama, duket qartë se nuk kanë pasur funksionimin e duhur sipas asaj çfarë parashikoi lidershipi socialist në shtator të vitit të shkuar. Në raportin që bën fjalë për fundin e fazës së parë të turit “Dialog me Shqipërinë” nuk përmendet asnjë fjalë për ecurinë e këtyre dy tureve në muajt që sapo kanë kaluar, çka tregon qartë një dështim të tyre. Në raportin e muajit dhjetor thuhej se vetëm qyteti i Tiranës, i Fierit, i Gjirokastrës dhe i Elbasanit kishin zhvilluar tryezë sistematikisht duke përthithur mendimin e qytetarëve, ndërsa vërehej se në qytetet e tjera nuk ka ekzistuar ky lloj ritmi. “Duhet theksuar se kjo pjesë e turit nuk ka pasur të njëjtin intensitet si “Dialogu me Shqipërinë”. Përveç Fierit, Tiranës, Gjirokastrës dhe Elbasanit, pjesa tjetër e bashkive socialiste nuk ka treguar seriozitetin e duhur në komunikimin me qytetarët”, - theksohej në këtë material informues. E njëjta gjë thuhej edhe për nismën tjetër “Thuaj fjalën tënde”. Megjithatë, ecuria e dobët e këtyre dy nismave, sipas këtij materiali, justifikohej me faktin se PS-ja ndërmori në të njëjtën kohë një sërë aksionesh të tjera politike. Siç është edhe turi i kreut të PS-së, Edi Rama, “Dialog me Shqipërinë”. "Thuaj Fjalën tënde" u konceptua si një debat politik, i cili nuk arriti efektet e dëshiruara për shkak të iniciativave të tjera të njëkohshme. Aktualisht ka filluar në Tiranë dhe ngelet për t’u iniciuar në të gjitha rrethet e tjera të vendit. Duhet theksuar se ky debat politik duhet rikonceptuar për arsye se në momentet e para u iniciua si një debat brenda strukturave të partisë. Në të kundërt, mund të konfuzojë qoftë edhe në masë të vogël turin politik "Dialog me Shqipërinë", - vazhdonte më tej analiza.

Raporti i Kryesisë së PS-së

Në analizën që i bëhet fazës së parë të "Dialog me Shqipërinë" duhet të theksohen dhe disa probleme, të cilat janë re:

1. Në disa takime fokusi tematik i muajit devijonte dhe fokusohej tek konfliktet politike të ditës.

2. Strukturat e Partisë në disa njësi vendore kanë mbajtur të ngushtë rrethin e kontribuuesve në tryeza.

3. Megjithëse në një pjesë të vogël të rasteve, materialet dhe encilklikat apo formularët nuk e kanë arritur destinacionin e duhur.

4. Në një numër megjithëse të vogël rrethesh ka pasur mangësi në koordinimin e punës dhe në organizimin e takimeve.

5. Në një pjesë të rretheve ka munguar axhenda e vazhdimësisë, e cila presupozon vazhdimin intensiv të punës dhe pasi kanë mbaruar tematikat mujore.

6. Komisionet rajonale akoma nuk e kanë marrë rolin e duhur të ngarkuar nga kryesia dhe AKS-ja e PSSH-ja.

7. Vetëm në muajt e fundit është bërë më mirë mbulimi mediatik lokal nga ana e drejtuesve të partisë në qendër dhe njësi vendore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›