E Diel, 1 Nëntor 2026

Neshat Fana PD-ja propozon avokatin e Berishës për në KLD



PD-ja mbledh firmat për kandidatin që do t’i propozojë Kuvendit për anëtar të ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Bëhet fjalë për avokatin Neshat Fana, ish-kandidat për deputet i PD-së në Dibër në 2005-ën, por që ndryshe njihet edhe si avokati i z.Berisha. Demokratët nisën dje procesin e mbledhjes së firmave për t’ia paraqitur zotin Fana Parlamentit për votim. Deri tani janë mbledhur 16 firma ndërkohë që lista kërkon 28 firma sipas procedurave kuvendore. Gjatë ditës së sotme pritet që të plotësohet lista me të tjerë emra deputetësh të djathtë. Sapo të jenë mbledhur të gjitha firmat, grupi parlamentar i PD-së do t’i paraqesë zyrtarisht Parlamentit kandidaturën e tij për t’u zgjedhur në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Aktualisht, në KLD është vakant vendi që duhet të zgjedhë Parlamenti ku duket qartë se gjasat tashmë janë pikërisht për emrin e Neshat Fanës. Avokati, i pozicionuar edhe politikisht pranë PD-së, njihet se një ndër njerëzit më të aftë të ligjit, me një përvojë të gjatë në drejtësinë shqiptare. Fana ka punuar 11 vjet në organin e prokurorisë dhe aktualisht ushtron profesionin e avokatit. Neshat Fana konkurroi para pak ditësh edhe për anëtar të Gjykatës së Lartë, por grupi i ekspertëve që ngriti Presidenti Topi për përzgjedhjen e emrave nga lista e gjatë prej 105 kandidatësh, e seleksionoi emrin e tij. Pas rrëzimit të Partisë Demokratike nga pushteti në vitin 1997, ai u bë avokat i liderit të opozitës në atë kohë, Sali Berisha. Këtë pozicion Neshat Fana e ka mbajtur deri në vitin 1998. Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, kryesia e Partisë Demokratike vendosi ta kandidojë Neshat Fanën në zgjedhjet për deputet në Kuvend në zonën 22, ku përballë ishte Sadri Abazi. Por përmes një procesi të kontestuar nga Fana, ai i humbi zgjedhjet duke mos arritur të marrë mandatin e deputetit. Emri i Fanës rezulton gjithashtu në listën e dhuruesve të donacioneve të PD-së për të mbuluar fushatën elektorale. Fana ka fituar mbi 90 për qind të gjyqeve si avokat dhe njihet si një ndër avokatët më të mirë në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›