E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Presidenca franceze, premtuese per BE-ne

Kryeministri Berisha me ftesë të Presidentit të Francës, z. Nikolas Sarkozy, do të marrë pjesë në Samitin e Vendeve Mesdhetare dhe në Festën Kombëtare të Francës. Në një intervistë për AFP, ai e konsideron presidencën franceze si të rëndësishme për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së

Zoti Kryeministër, si do t’i vlerësonit marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës?

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera. Franca ka mbështetur fuqishëm të gjitha përpjekjet e Shqipërisë për ndërtimin e demokracisë, të ekonomisë së tregut dhe aspiratën për integrimin në NATO dhe BE. Franca ka luajtur një rol qendror, nga më të rëndësishmit, në stabilitetin në Ballkan. Franca është ndër të parat vende që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Çfarë pret Shqipëria nga Presidenca franceze e BE-së?

Presidenca franceze e BE-së është shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Evropën. Franca është vend themelues dhe promotor i Bashkimit Evropian. Jam i bindur se agjenda e shpallur nga Presidenti Sarkozy do të arrihet dhe procesi i integrimit do të konsolidohet më tej. Në këtë kontekst, Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, si vende shumë të interesuara për avancimin e proceseve integruese, do të kenë një dialog të hapur dhe intensiv me kryesinë e radhës të BE-së, por edhe me qeverinë franceze.

Iniciativa e Presidentit Sarkozy mbi Unionin e Vendeve të Mesdheut do të mbledhë në Paris, më 13 korrik, drejtues të më shumë se 40 vendeve të botës, midis të cilave dhe Shqipëria? Si e vlerësoni ju këtë iniciative?

Mendoj se kjo është një iniciativë jashtëzakonisht e rëndësishme, një ridimensionim në kohë i iniciativës së Barcelonës, një dialog dhe bashkëpunim i domosdoshëm për të dy brigjet e Mesdheut dhe mbarë Evropën, por i dobishëm do të thosha dhe për të gjithë botën e sotme. Ky rajon është rajoni i zhvillimeve të mëdha e të gjithanshme, i shumë kulturave dhe qytetërimeve, i konflikteve, pa zgjidhjen e të cilave paqja në botë nuk mund të jetë e sigurt. Kjo iniciativë bashkon vende, të cilat mund të angazhohen së bashku, në interesin më të mirë të qytetarëve të tyre, në të gjitha çështjet e përcaktuara si temat kryesore të këtij Samiti, që janë energjia, pastërtia e ambientit, ekonomia, kultura, pastërtia e ujërave, dialogu edhe marrëdhëniet politike e bashkëpunimi midis vendeve.

Jam i bindur se kjo është një iniciativë me perspektivë të madhe, është një takim historik që hap një kapitull të ri dhe të rëndësishëm.

Iniciativa franceze e një Unioni Mesdhetar ka ngjallur mendime të kundërta. Ka vende që e kanë konsideruar këtë projekt edhe si një pengesë për zgjerimin e projektin e ndërtimit evropian. Cili është mendimi juaj, ju lutem?

Përkundrazi. Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të jetë e rrethuar me mure, por, përkundrazi, është në interesin më të mirë të BE-së që të ketë dialog dhe bashkëpunim me fqinjët e saj dhe ndër ta, fqinjët e Mesdheut janë fqinjët e parë të BE-së. Unë mendoj se ky bashkëpunim në të ardhmen mund të ketë efekte pozitive dhe mund të zgjerohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›