PD dhe PS do të bëjnë një kod të ri zgjedhor
Në fund të muajit korrik do të ketë një ligj të ri zgjedhor, dhe jo të përmirësuar. Ky është konsensusi i arritur dje në mbledhjen e radhës të komisionit, i cili jo vetëm ka gjetur miratimin e të gjitha partive pjesëmarrëse, por është miratuar edhe pjesa e parë e tij që përmban parime të përgjithshme të Kodit të ri Elektoral. Në këtë mënyrë, Komisioni i posaçëm për Kodin Elektoral ka nxjerrë produktin e parë të pakontestuar nga asnjë prej partive parlamentare që marrin pjesë në të. Për t’i dhënë një herë e mirë fund çdo lloj kontestimi që lindte nga kodet që janë hartuar dhe përmirësuar gjatë viteve të shkuara, këtë herë partitë kanë vendosur të bëjnë çdo gjë nga e para, si nga sistemi zgjedhor që tashmë është ndryshuar, ashtu dhe me ligjin e ri zgjedhor. Në një mbledhje me dyer të mbyllura
Komisioni ka arritur të miratojë kapitullin e parë të Kodit që përcakton parimet përgjithshme për një proces zgjedhor si koha e votimit ose hapja dhe mbyllja e qendrave të votimit, regjistrimi i partive etj. Bashkëkryetari socialist Fatmir Xhafaj tha dhe për mediat në emër të të gjitha partive që marrin pjesë në Komision se për miratimin e një kodi të ri zgjedhor është rënë dakord nga të gjitha palët. “Kemi rënë dakord që të mos ketë amendamente të Kodit po të ketë një ligj të ri zgjedhor dhe sot kemi kaluar në parimet e para të këtij kodi”, - tha ai. Ky kapitull i parë është më i thjeshti për arritjen e konsensusit, sepse nuk përfshin çështje me të debatuara të sistemit të ri elektoral. Një prej tyre është përcaktimi i formës se ndërtimit të koalicioneve, çështje kjo që pritet të diskutohet javën e ardhshme për të konkluduar nëse partitë që do të zgjedhin të hyjnë në zgjedhje me koalicion do të hyjnë me lista të ndara të partive apo me lista të përbëra, siç është në kodin aktual zgjedhor. Njëkohësisht, Kodi i ri Zgjedhor do të ketë përcaktime të reja lidhur me listat e hapura apo të mbyllura, funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, çështja e sigurisë së votimit etj. Ndërkohë që në Komision është zgjidhur problemi i vendimmarrjes. Në krahasim me komisionin e mëparshëm, tanimë e drejta e vetos është në duart e dy partive të mëdha, të cilat paraprakisht kanë rënë dakord për propozimet e reja. Komisioni do të funksionojë deri në fund të këtij muaji dhe ka premtuar se brenda këtij sesioni parlamentar do të bëhet e gjithë kjo reformë.