BERZH financon me 50 milionë euro programin e rrugëve lokale

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim
(BERZH) do të financojë me një shumë prej 50 milionë eurosh programin Rrugët dytësore
dhe lokale në Shqipëri. Kredia në fjalë është pjesë e një projekti të
koordinuar prej 137 milionë eurosh që do të mbështesin projektin e qeverise
Shqiptare, i cili është në zbatim që prej vitit 2008. Projekti do të jetë
bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Evropiane e Investimeve me po 50
milion euro dhe me grante të Bashkimit Evropian nga IPA 2010 e 2011 me shumën
prej 33 milion eurosh. Ndërkaq, një grant prej 4 milion eurosh nga Uestern
Balkan Investment Frameuork do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me
projektin si projektim-supervizion, asistencë teknike etj.
Rreth 650 km rrugë dytësore e lokale
parashikohet të rindërtohen nga ky projekt gjatë 5 viteve të ardhshme.
Projekti Përmirësimi i Rrugëve Dytësore dhe
Lokale është një bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe donatoreve të tjerë e po
realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë të përafërt prej 400
milion USD.
Ky projekt synon të përmirësojë infrastrukturën
rajonale dhe lokale në vend, si dhe të rrisë aksesin ndaj shërbimeve bazë dhe
tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rreth 1500 km-ve
rrugë.
Aktualisht, janë në proces implementimi 210 km
rrugë rajonale dhe lokale, ndërkohë që gjatë vitit 2010 parashikohet të jenë
rehabilituar apo të jenë nën rikonstruksion 340 km rrugë.
n.e/NOA