E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti urban në Tiranë, kushtet të reja për licencim



Licencimi i linjave të transportit urban tani do t'u nënshtrohet disa kërkesave të reja. Me delegimin e kompetencave nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, në pushtetin vendor, Bashkia e kryeqytetit ka përgatitur një propozim që pritet t'ia kalojë Këshillit Bashkiak të Tiranës për shqyrtim, në fillim të dhjetorit në mbledhjen e tij të radhës. Kriteret që duhet të plotësojë personi fizik apo juridik, që kërkon të licencohet për ushtrimin e veprimtarisë së transportit rrugor të udhëtarëve e mallrave, duhet të provojë se plotëson 4 kushte. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, “bëhet fjalë për reputacionin e mirë, gjendjen e përshtatshme financiare, kompetencën profesionale, si dhe zotërimin e mjeteve të transportit rrugor me motor, në numrin dhe gjendjen teknike të kërkuar”. Në rastet kur aplikanti është një person që nuk ka kompetencë profesionale, ai mund të emërojë një person tjetër që plotëson kërkesat e reputacionit dhe të kompetencës profesionale, që të mund të menaxhojë efektivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme operacionet e transportit të ndërmarrjes, thanë burimet e mësipërme. Numri i autobusëve në transportin e udhëtarëve në linja të rregullta përcaktohet nga zyra e licencave në bazë të frekuencës së udhëtimeve, distancës së udhëtimit dhe mjeteve rezervë që duhet të ketë ndërmarrja e transportit. Sipas një studimi të kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi dhe Bashkia e Tiranës, transporti urban përdoret shpesh nga plot 46 për qind e kryeqytetasve. Ndërsa, po sipas këtij studimi, rreth 32 për qind e qytetarëve i përdorin linjat urbane 1 herë në javë.

Urdhëresa: “Asnjë i huaj nuk paguan taksë për të hyrë në Shqipëri”

Që prej ditës së djeshme asnjë shtetas i huaj nuk do të paguajë më taksë për të hyrë në Republikën e Shqipërisë. Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Jashtme, asaj të Financave dhe Ministrisë së Brendshme ka nisur të zbatohet që nga e marta 25 nëntor 2008 në mëngjes në çdo pikë të kalimit kufitar në Shqipëri. Me një vendim qeverie në korrik të këtij viti “Për taksat kombëtare”, tre prej ministrave të kabinetit qeveritar kanë përcjellë në pikat e kalimit kufitar urdhëresën që të mos merret asnjë lloj takse për hyrjen e shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë. Deri më sot çdo shtetas i huaj paguante 10 euro për futjen në Shqipëri, me përjashtim të shtetasve izraelitë që paguanin shifrën prej 30 eurosh.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›