E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrëshen-Kalimash”, shkeljet që e kthyen Bashën në një të pandehur

Gazeta “Albania” e njoftoi që më datë 14 shtator statusin për Bashën. Çfarë ndodhi për 40 ditë rresht lidhur me statusin e Lulzim Bashës

Habjon Hasani

Ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, si rregull duhet të paraqitet nesër në orën 14:00 para prokurorit Arben Kraja për t’iu komunikuar zyrtarisht statusi i të pandehurit për dosjen “Rrëshen-Kalimash”. Gazeta “Albania” e paralajmëroi një vendim të tillë që në datën 14 shtator. Por për gati dy muaj me radhë, ngurrimi, ekspertimi, por edhe “lufta e bërrylave” vunë në pikëpyetje rolin e tij lidhur me këtë çështje. Prokurori i çështjes në Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Kraja, i dorëzoi znj. Ina Rama në fillim të shtatorit dosjen e kompletuar për ta firmosur, ndërsa emrat e Lulzim Bashës, Andi Tomës dhe Armand Telitit ishin piketuar si përgjegjës për abuzimet. Porsa është njohur me dosjen e kompletuar, kryeprokurorja e ka shqyrtuar atë së bashku me stafin e saj në nivel ekspertize, ndërsa me kuorum të plotë u vendos që një grup ekspertësh të detajonin shkeljet dhe abuzimet që vinin si pasojë e deformimeve inxhinierike. Pavarësisht kësaj shtyrjeje, duket se ky vendim i dytë nuk kishte lidhje me statusin e ish-ministrit Basha. Kjo ndodhte pasi ky i fundit ishte “gozhduar” si i pandehur që në dosjen e hartuar nga prokurori i Tiranës, Ervin Karanxha, i cili kishte faktuar se Basha kishte iniciuar personalisht dhe kundër çdo ligji në fuqi procedurat themelore për ndërtimin e kësaj rruge. Matjet inxhinierike ishin pasojë e këtyre vendimeve të paligjshme të Bashës, kështu që rishikimi i tyre nuk kishte lidhje me statusin e tij.
Dritëhijet
Por, ndonëse veprimet antiligjore të Bashës ishin vërtetuar plotësisht, vonesat në kryerjen e disa procedurave rutinë po kanosnin afatet e hetimit. Prokuroria përfitoi një shtyrje afati prej një muaji, por kur ajo kërkoi dhe një shtyrje të dytë, kjo kërkesë iu refuzua nga gjykata, duke i stopuar hetimet. Në këto kushte kryeprokurorja doli publikisht dhe deklaroi se do ta apelonte këtë vendim, por ishte e detyruar ta respektonte për sa kohë ishte në fuqi. Pikërisht në periudhën e “tranzicionit të vendimeve”, prokuroria e shpalli ish-ministrin Basha si të pandehur. Ky i fundit, nëpërmjet avokatit të tij, e quajti shkelje klasifikimin e tij si të pandehur në kushtet kur gjykata ia kishte ndaluar prokurorisë të vazhdonte hetimet. E, për hir të së vërtetës, deri në momentin e vendimit të gjykatës për Bashën nuk ishte firmosur asgjë. Ky moment rrezikon ta fusë lojën në një tjetër spirale, ndërsa Basha mund të kërkojë rrëzimin e këtij vendimi të prokurorëve përderisa gjykata kishte pezulluar hetimin ndaj tij. Por pavarësisht “trukeve ligjore”, është i sigurt fakti se ministri Basha ka kryer me iniciativën e tij një zinxhir procedurash të jashtëligjshme, të cilat treguan se Ministria e Transporteve ishte totalisht jashtë loje dhe se projekte me kosto prej qindra miliona eurosh “kopsiteshin” sa nga zyra e Andi Tomës (ish-drejtor juridik) deri te zyra e ish-ministrit Basha. Një paralizim total i institucionit dhe një “privatizim” i ministrisë nga dy njerëz të përveçëm.
Prokuroria
Prokuroria e Përgjithshme duket se ka luajtur rolin e saj në komplikimin e trajektores së kësaj dosjeje të rëndësishme. “Albania” është interesuar në vazhdimësi për statusin e ish-ministrit Basha, ndërsa për dy muaj me radhë ky institucion nuk ka guxuar të merrte dhe të shpallte zyrtarisht vendimin për të kaluar si të pandehur ish-ministrin, ndonëse në të gjitha analizat e kësaj dosjeje ky fakt konsiderohej i pashmangshëm. Sipas prokurorëve dhe oficerëve gjyqësorë, do të mjaftonte vetëm futja “si pykë” e firmës konsulente “Ecorys” me veton e ish-ministrit, që ky i fundit të shkonte në bankën e të akuzuarve. Por ndonëse ishte para këtyre fakteve, prokuroria hezitoi të vepronte për dy muaj me radhë. Ndërsa tani, për pasojë të këtij hezitimi, prokurorisë rrezikon t”i zhvleftësohet dhe ky vendim i “minutës së fundit”, i cili e shpalli Bashën zyrtarisht dhe publikisht të pandehur.

BOX
Basha i pandehur, “Mjaft”-i kërkon largimin

Lëvizja “Mjaft” kërkoi përsëri dje largimin e ministrit të Jashtëm Lulzim Basha nga kabineti qeveritar, kërkesë e përforcuar edhe nga shpallja e ministrit të pandehur nga prokuroria. Përmes një qëndrimi zyrtar, “Mjaft”-i e vuri theksin te humbja e legjitimitetit dhe aftësinë morale dhe publike të Bashës për të përfaqësuar vendin në nivel ndërkombëtar. “Më në fund pamë një akt konkret nga ana e Prokurorisë në këto 18 vjet pluralizëm, i cili përbën një shembull model për hetimin e korrupsionit. Dëshmi e një procesi ligjor, transparent dhe publik - jo në nivelin e shantazheve të ndërsjella në sallën e Kuvendit, apo të spoteve patetike qeveritare”, - tha aktivisti i “Mjaft”-it, Leart Kola, gjatë konferencës për median. Kola shtoi se falë zbatimit të ligjit, shqiptarët sot kanë një ministër të pandehur, i pari në dy dekadat e fundit.

BOX
Shmangen akuzat për Armand Telitin dhe Lejla Saraçin

Ish-drejtori Juridik Andi Toma dhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, mbeten të vetmit zyrtarë në hetim për abuzimet me fondet në rrugën “Durrës-Kukës”. 20 muaj pas nisjes së hetimeve, Andi Toma akuzohet sipas nenit 248 të Kodit Penal se ka shpërdoruar detyrën në bashkëpunim me ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha, ndërkohë që dy ish-zyrtarët e tjerë, ish-zëvendësministri Armand Teliti dhe ish-drejtoresha e Rrugëve, Lejla Saraçi, që prej së hënës nuk janë më të pandehur. Për ta Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të pushojë hetimet për mungesë provash, pasi sipas Prokurorisë, ata rezultojnë të papërfshirë në këtë çështje. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi jo zyrtarisht se dosja do të dërgohet brenda këtyre ditëve për gjykim. Duket se tashmë rrethi po ngushtohet dhe akuza për shpërdorim në përmasa të mëdha po rëndon vetëm mbi dy emra, mes tyre ai i Bashës.

Basha favorizoi haptazi kompaninë konsulente “Ecorys Group”

“.... Me gjithë mangësitë ligjore të evidentuara, zoti Lulzim Basha vazhdon procedurat dhe realizon lidhjen e kontratës me subjektin Ecorys Group’.

Si konkluzion mund të themi se ‘Ecorys Group’ është një shoqëri e përzgjedhur nën ndikimin e drejtpërdrejtë të zotit Lulzim Basha. Nga ana tjetër, përzgjedhja e saj është bërë në kundërshtim me Ligjin nr. 7971, dt. 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, sepse mungon argumentimi i fondit limit prej 180 mijë dollarësh, mungojnë ofertat nga kompani të tjera, si dhe mungon dokumentacioni ligjor i subjektit ‘Ecorys Group’. Akoma dhe sot nuk disponohet asnjë dokumentacion ligjor i shoqërisë ‘Ecorys Group’.

Kontrata e lidhur me shoqërinë ‘Ecorys Group’ ka përfunduar më datë 30.09.2006. Gjatë periudhës 20 korrik deri më 30 shtator 2006 shoqëria ‘Ecorys Group’ ka asistuar në përzgjedhjen e firmës që do të ndërtonte rrugën ‘Rrëshen-Kalimash’ dhe në negocimin e kontratës që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka lidhur me subjektin fitues për ndërtimin e rrugës. Për këto dy detyra ka përfituar shumën 180 mijë USD.

Megjithëse kontrata me konsulentin ka përfunduar më 30 shtator 2006, me kërkesën e zotit Lulzim Basha realizohet në ditët e fundit të muajit dhjetor 2006 një shtesë në kontratën e lidhur me konsulentin. Me iniciativën e zotit Lulzim Basha miratohet VKM Nr. 867, dt. 27.12.2006 dhe më pas aneks-kontrata e datës 29.12.2006 ndërmjet Drejtorisë të Përgjithshme të Rrugëve dhe konsulentit ‘Ecorys Group’. Shtesa e kontratës ka të bëjë me ndryshimin e pagesës në favor të subjektit ‘Ecorys Group’, duke e rritur pagesën nga 180 mijë USD në 275 mijë USD, pra 95 mijë USD më shumë. Shtesa prej 95 mijë dollarësh përballohet nga fondet që Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kishte në dispozicion për rrugët kombëtare.

Kjo shtesë pagese bëhet pa ndryshuar kushtet e tjera të kontratës të datës 20.07.2006, pra pa ndryshuar të drejtat dhe detyrimet e palëve të përcaktuara në kontratën bazë. Një shtesë e tillë është krejtësisht e pajustifikuar dhe shuma prej 95 mijë dollarësh përbën dëm për buxhetin e shtetit”.

Marrë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Tiranës

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›