E Diel, 1 Nëntor 2026

BE,marrëveshje për ndryshimet klimatike në kontinent

Krerët e Bashkimit Europian kanë arritur një marrëveshje për ndryshimet klimatike në kontinent. Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi tha se liderët e BE-së ranë dakort njëzëri mbi paketën e ligjeve, të cilat synojnë reduktimin e emetimeve të gazrave në 27 vendet anëtare të Unionit, që shkaktojnë ngrohje globale. "Ajo që po ndodh është historike. Asnjë kontinent në botë nuk i ka vënë vetes qëllime të tilla detyruese, të cilat ne i pranuam njëzëri", tha Sarkozi, në fund të samitit dy ditor në Bruksel, vendi i të cilit kryeson BE-në. Ligjet e miratuara në Bruksel i detyrojnë vendet anëtare të BE-së që të reduktojnë emetimet e gazrave me 20% deri në vitin 2020. "Pas të gjitha përmirësimeve, ne garantuam se do të arrihet reduktimi i emetimeve me 20 % deri në vitin 2020. Ne gjithashtu garantuam se do ta rrisim efikasitetin e energjisë me 20 %", deklaroi kreu i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso. Ky është plani më ambicioz për ndryshimet klimatike i bërë deri më sot nga ndonjë fuqi botërore. Plani parashikon edhe koncesione për vendet anëtare të BE-së nga Europa Lindore, të cilat u shprehën se reduktimi i emetimit të gazrave mund të jetë barrë e rëndë financiare për ekonomitë e tyre të pazhvilluara. Ndërkohë që kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Braun, u shpreh se liderët e BE-së ranë dakort për një paketë stimuluese prej 200 miliardë eurosh për të ndihmuar ekonomitë e tyre që të rigjallërohen nga kriza globale financiare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›