B.Fildishte shansi i fundit per Gbagbo-n

Një delegacion i përbërë nga lidera afrikanë do t’i ofrojë Bregut të Fildishtë mundësinë e fundit për të shmangur një ndërhyrje ushtarake të huaj, lajmëroi gjatë ditës e përditshmja franceze “Le Monde”.
Presidentët e Beninit, Kepit të Gjelbërt, Sierra Leones dhe Kenias pritet t’i ofrojnë presidentit të paligjshëm, Laurent Gbagbo, një amnisti në rast se do të largohet menjëherë prej pushtetit.
Nëse oferta do të refuzohet, atëherë me siguri do të shpallet një ndërhyrje panafrikane ndaj qeverisë së Abixhanit, për të vendosur në detyrë fituesin e ligjshëm të zgjedhjeve, Alaissane Ouattara.
Në takimin e parë me liderat afrikanë, Gbagbo refuzoi të pranonte kërkesat ndërkombëtare. Në trazirat e ndodhura në vend që prej një muaji, më shumë se 200 persona kanë vdekur dhe me qindra të tjerë janë zhdukur.