“Sistemi i Drejtësisë duhet të pastrohet nga burokratët e korruptuar”
Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi, reagon për gjendjen e sistemi të drejtësisë, duke bërë thirrje që të zbatohet reforma.
TIRANE - Partia Demokristiane e Shqipërisë ka deklaruar dje se mbështet reformimin rrënjësor të sistemit të Drejtësisë në vend, duke bërë të mundur fuqizimin e shtetit ligjor. Kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi, u shpreh se duhet të iniciohet beteja për pastrimin e sistemit të drejtësisë nga burokratë që vegjetojnë, apo persona që e shohin drejtësinë si një mjet për të mjelë qytetarët.
“Kjo do të jetë beteja jonë më e vendosur, dhe aleati ynë kryesor do të jenë qytetarët. PDK angazhohet se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe kushtetuese për ti dhënë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve në dyert e asaj që quhet drejtësi. Ne jemi të vendosur ta bëjmë një gjë të tillë, pasi jemi të bindur se në krahun tonë janë shumica e shqiptarëve”, tha Gurakuqi.
Ai vuri në dukje se, PDK, fton qytetarët shqiptarë që të gjejnë kurajën dhe të denoncojnë publikisht, të bëjnë publike provat dhe faktet që kanë për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, pasi ky do të jetë shërbimi më i madh që i bëjnë Shqipërisë.
“PDK i bën thirrje ministrit të Drejtësisë që të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij ligjore, të nisë kontrollet përmes inspektorëve në të gjitha gjykatat e vendit dhe të jeni të bindur se rezultatet do të jenë mbresëlënëse. PDK i bën thirrje Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të lënë mënjanë deklarimet mediatike dhe të prekin me dorë situatën në gjyqësorin shqiptar. Kjo është ajo që presin qytetarët shqiptarë, kjo është ajo çfarë kanë kërkuar dhe kërkojnë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Korrupsioni nuk luftohet me deklarata, por kërkon veprime konkrete. Sot është koha për veprim, sot është koha për të nisur betejën në emër të së ardhmes”, u shpreh më tej kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi.
...