“Forcimi i PD-së, nëpërmjet prurjeve të reja”
PD, nis fushatën e zgjedhjeve në degët nëpër rrethe TIRANE - Partia Demokratike ka hapur fushatën e zgjedhjeve të reja për strukturat e saj në rrethe. Gjatë vizitës në Roskovec të Fierit, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili është edhe kryetari i grupit të punës për qarkun e Fierit në zgjedhjet që do të mbahen në vitin 2009, i shoqëruar nga zv/ministri Stavri Ristani, çelën fushatën e zgjedhjeve të reja në parti, për degët nëpër rrethe. Në fjalën e tij Olldashi ka pohuar se Roskoveci është zonë e vështirë, por, tha ai, duke iu drejtuar banorëve, “ju i keni premtuar partisë suaj në Fier se në zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të nxirrni një deputet”. Sipas Olldashit, ky është një proces i forcimit të PD-së ndërkohë që tashmë ka prurje të reja në këtë forcë politike. “Ne i mirëpresim anëtarësimet e reja”, ka pohuar Olldashi në fjalën e tij para anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së në këtë zonë. Ai kujtoi edhe se PD-ja që në themelimin e saj si forcë politike premtoi futjen e vendit në BE dhe në NATO dhe shtoi se, “këtë premtim po e bëjmë realitet në mandarin tonë qeverisës. Vitin tjetër Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s, ndërkohë që shumë shpejt do të jemi edhe pjesë e BE-së, tha ministri. Ne vijmë me një bilanc të pasur në punën tonë konkrete”, pohoi Olldashi. Lidhur me politikat qeverisëse, Olldashi theksoi se qeveria ka mbajtur premtimet që i ka bërë elektoratit të vet. “Premtuam rroga të larta, rritje pensionesh dhe këto i mbajtëm, kemi ndërtuar rrugë të reja dhe ujësjellës. Kemi se çfarë i tregojmë jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve tanë por edhe atyre qytetarëve të tjerë të cilët kanë bindje të tjera politike”, vijoi më tej Olldashi. Në këtë takim që është zhvilluar në sallën e kinemasë së qytezës së Roskovecit u kryen edhe 120 anëtarësime të reja në PD. ...