E Shtunë, 31 Tetor 2026

"BMW"-ja e re për hakerat, u porosit në Gjermani

TIRANE - Makina luksoze "BMW", e porositur nëpërmjet internetit në Gjermani nga kreu i "Matrix", pritet të mbërrijë në Shqipëri në fillim të kësaj jave. 

Burime pranë hetimit të çështjes pohojnë se, sipas marrëveshjes së blerjes që ka bërë "online", 19-vjeçari Endrit Gjergjani, i cili mban edhe mbiemrin Laro, pagesa e mjetit është kryer e gjitha dhe tashmë ka mbetur vetëm dërgimi i tij te blerësi. Por sapo të mbërrijë, ky mjet pritet të sekuestrohet pasi sipas hetimit, paratë me të cilat është blerë kanë ardhur si pasojë e aktivitetit të paligjshëm që kryente i arrestuari. Gjergjani, i cili akuzohet të ketë klonuar dhjetëra karta e ka porositur pak javë më parë makinën e shtrenjtë, duke derdhur të gjithë shumën nga llogaria bankare. Hetimet kanë nxjerrë se të ardhurat ishin vjedhur nga ky nëpërmjet internetit prej llogarive të qytetarëve të ndryshëm, kryesisht anglezë, ndërkohë që shuma të tjera janë përdorur nga ky i arrestuar për të blerë sende me vlerë dhe bizhuteri. Gjergjani ndodhet në qeli bashkë me të atin, i cili akuzohet për "falsifikim dokumentesh" dhe "vjedhje bankash". Po kështu në qeli ndodhen edhe 10 të rinj, të njohur të tyre, që akuzohen se i kanë shërbyer 19-vjeçarit për të kryer transaksione të ndryshme, si dhe tërheqje "cash" nëpër bankomatë të ndryshëm. Po kështu 5 të rinj të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›