E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku Dautaj, akuzë për pastrim parash

TIRANE - Organi i akuzës i shton tjetër akuzë mjekut të arrestuar për korrupsion, Kastriot Dautaj. 

Dashamir Biçaku

Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Panorama", nga burime të organit të akuzës në kryeqytet, si dhe nga burime të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kryer edhe hetimin paraprak të kirurgut urolog, Kastriot Dautaj. Mjeku i njohur, tashmë i arrestuar, sipas burimeve të policisë do të hetohet për këtë krim, për shkak se të ardhurat e tij vijnë nga korrupsioni, një veprimtari e paligjshme. Sipas njoftimit zyrtar të policisë dhe të Prokurorisë, Dautajt i janë gjetur llogari bankare me vlerë deri në 640 mijë dollarë amerikanë, nga Drejtoria e Hetimit dhe Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave. Ato më pas janë depozituar në bankë dhe prej tyre, janë fituar interesa të konsiderueshme për shkak të sasisë së madhe të depozitës. Madje, sipas burimeve të policisë, një pjesë të interesave të fituara nga paratë e depozituara në bankë janë tërhequr, apo transferuar nga mjeku. Ndërkaq hetuesit e kanë cilësuar si veprimtari të pastrimit të parave fitimin e interesave nga paratë e depozituara në bankë prej Kastriot Dautajt, po ashtu edhe dërgimi i parave fëmijëve të tij, studentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjitha këto janë klasifikuar si investime që rrjedhin nga para të fituara në mënyrë të paligjshme. Kjo ka bërë që organi i akuzës të ngrejë tashmë një akuzë zyrtare të pastrimit të parave nga mjeku Dautaj. Ndërkaq hetuesit e policisë dhe të Prokurorisë dyshojnë se kirurgu mund të ketë kryer investime në drejtime të tjera të ndryshme si në blerje pronash të patundshme në kryeqytet, apo në bregdet, kryesisht në Vlorë apo Durrës. Për të vërtetuar këtë fakt, hetuesit kanë nisur tashmë të verifikojnë listat e pasurive të tij, me qëllim për të zbardhur dhe për të nxjerrë sa më tepër të dhëna. Ata kanë zbuluar një kontradiktë të re pas arrestimit të urologut Dautaj. Gjatë verifikimit të kryer në bankë, ai ka deklaruar se të ardhurat i ka të fituara nga profesioni. Mirëpo për këtë fakt ai nuk kishte fatura të mjaftueshme. Po kështu gjatë deklarimit të tij në gjykatë, ai pohoi se, kishte të ardhura edhe prej pronave. Kjo kontradiktë ka bërë që hetuesit të verifikojnë hollësisht llogaritë bankare dhe prona të ndryshme të paluajtshme të mjekut, të arrestuar në fillim të javës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›