E Diel, 1 Nëntor 2026

Konviktorja plagos me thikë shokun e shkollës



Një 31-vjeçare, nxënëse në Shkollën Teknologjike në Tiranë, ka qëlluar me thikë shokun e shkollës. Ngjarja ndodhi ditën e diel, në ambientet e Shkollës Teknologjike në Tiranë, kur Gramoz Malaj, 24 vjeç, dyshohet të jetë qëlluar me thikë nga 32-vjeçarja Rovena Bardhi. Mësohet se Malaj u dërgua në spital dhe pas marrjes së mjekimit u transportua në banesën e tij. Ndërkohë që e sinjalizuar për ngjarjen, policia shoqëroi autoren e dyshuar Rovena Bardhi nga Elbasani, banuese te konvikti i Shkollës Teknologjike. Burime nga policia thanë se Bardhi, pasi u mor në pyetje, u la e lirë, ndërsa do të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.

Humb jetën punëtori i ndërtimit, bie nga kati i gjashtë

Një punëtor ndërtimi ka gjetur vdekjen pasi ra nga kati i gjashtë i pallatit ku punonte. Ngjarja ndodhi dje në Tiranë, kur 33-vjeçari Proletar Zeqiraj ka rënë nga kati i gjashtë i pallati në ndërtim në Qesarak të Tiranës. Kolegët e tij e dërguan menjëherë në spital, pasi 33-vjeçari jepte shenja jete, por vdiq vetëm pak minuta pasi mbërriti në duart e mjekëve. Policia e lajmëruar për ngjarjen nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Zeqirajt. Burime nga policia thanë se 33-vjeçari ishte punëtor i shoqërisë ndërtuese “Mihaj-Guci”. Policia kreu shoqërimin e administratorit të firmës, Arjanit Mihaj, 38 vjeç, i cili u pyet si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, por pas konsultimit me prokurorin u la të ndiqet në gjendje të lirë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të sigurisë në punë”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua gjithë dokumentacioni i shoqërisë, si dhe kontrata e punës dhe sigurimeve të viktimës.

Gjendet e gjakosur 20-vjeçarja, por mohon dhunimin nga miku i saj

Qëndroi përgjatë gjithë natës në banesën e mikut të saj dhe në orët e para të mëngjesit u gjet pa ndjenja dhe e gjakosur në hyrje të pallatit të tij. Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm kur Klenja G., 20 vjeçe, është gjetur pa ndjenja dhe e plagosur rëndë në kokë në hyrje të një pallati pranë gjimnazit “Partizani” në Tiranë. Vajza u transportua menjëherë në spital, ndërsa policia nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Burime nga policia thanë se pas hetimeve të para rezultoi se në pallatin ku u gjet e reja e plagosur banon miku i saj Orgest Burçaj, 26 vjeç, i cili u arrestua menjëherë me akuzën e “plagosjes së rëndë”. Mirëpo deklarata e vajzës, e cila është marrë nga oficerët e policisë pas përmirësimit të saj në spital, ka hedhur poshtë akuzën që u ngrit ndaj 26-vjeçarit. Sipas dëshmisë së 20-vjeçares, ajo nuk është plagosur nga i riu, por ka rënë nga shkallët pasi ishte në gjendje të dehur. Ajo ka treguar se deri në orën 6:00 të mëngjesit të djeshëm ka qenë në shtëpinë e Burçajt, ku kishte konsumuar përgjatë gjithë natës alkool dhe më pas kishte dashur të largohej, por ra nga shkallët për shkak të gjendjes së alkoolizuar në të cilën ndodhej. Policia bëri të ditur se mund të pezullohet kjo ngjarje për shkak të dëshmisë së vajzës, e cila mohon të jetë dhunuar dhe se gjithçka ka ndodhur aksidentalisht.

Vjedhin fast-food-in, në pranga dy adoleshentët

Dy të mitur janë arrestuar nga policia pasi akuzohen për vjedhjen e një fast-food-i. Burime nga policia thanë se ditën e djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë kryen arrestimin e dy të miturve, L.,S., 15 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë dhe R. H., 14 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Sauk Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pasi dje janë kapur në flagrancë në rrugën “5 Maji”, te tregu “Dinamo”, duke vjedhur dyqanin fast-food, në pronësi të një shtetasi. Sipas policisë, dy të miturit po tentonin të largoheshin me një karrocë në të cilën kishin vendosur të gjitha sendet e vjedhura, por janë diktuar nga patrulla, e cila ka ndërhyrë menjëherë duke i shoqëruar ata në komisarit. Dy djemtë akuzohen për veprën penale të “vjedhjes” e kryer në bashkëpunim.
Aksidentet, Policia e Tiranës vendos mbi 3 mijë gjoba në ditë
Shërbimet e Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Kështu, vetëm ditën e djeshme, në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur 3070 masa administrative me vlerë 3 740 100 lekë, si edhe janë pezulluar 18 leje drejtimi. Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.

29 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›