BONOT Raporti i plotë i bankës për tregun e letrave me vlerë
Autori i Lajmit: Anilejda Shëmbitraku
Gazeta “Ballkan” ka siguruar raportin që, sipas burimeve nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë ka përgatitur për ministrinë. Sipas këtij raporti, emetimi i bonove të privatizimit u bë nga Banka e Shqipërisë sipas përcaktimeve të Ministrisë së Financave, ndërsa shpërndarja iu ngarkua Bankës së Kursimeve. Gjithashtu, bonot e privatizimit janë të tregtueshme ndërmjet shtetasve shqiptarë, ndërsa pas miratimit të Ligjit nr. 8162, datë 7.11.1996, “Për miratimin me disa ndryshime të Dekretit nr. 1630, datë 1.11.1996...”, edhe të huajt mund të blejnë dhe të përdorin bono privatizimi ashtu si dhe shtetasit shqiptarë. Bonot e privatizimit u planifikuan të shpërndaheshin në tre valë, por më vonë u realizuan vetëm në dy valë. Bonot e privatizimit të shpërndara në valën e parë kishin afatin e përdorimit deri në korrik të vitit 1996, dhe përbënin 1/5 e bonove. Vala e dytë filloi të shpërndahej në shtator 1996. Me Aktin normativ nr.4, datë 16.2.1999 “Për një ndryshim në Ligjin nr. 8162, datë 7.11.1996, “Për miratimin me ndryshime të Dekretit nr. 1630, datë 1.11.1996”, afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri më 31.12.2005. Vlera e bonove të privatizimit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme në treg. Zhvlerësimi ka ardhur si rrjedhim i disa faktorëve, nga më kryesorët mund të përmenden: Procesi i privatizimit masiv, i cili transferoi në mënyrë të menjëhershme pronësinë tek aksionerët privatë të shoqërive me borxhe të mëdha, menaxhim të dobët, treg të dominuar nga importi dhe i pakontrolluar, i cili nuk dha efektet e parashikuara. Raport i disfavorshëm i vlerës së kapitaleve shtetërore të hedhur në treg dhe vlerës së shpërndarë të bonove dhe lekëve të privatizimit. Efekti i krizës së piramidave në fillim të vitit 1997, e uli vlerën e tyre deri në masën 2-3 %. Angazhimi i Qeverisë Shqiptare për përdorimin e letrave me vlerë në sektorët strategjikë, shprehet në Ligjin nr.8306, datë 14.3.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, në nenin 8 të të cilit theksohet që “pjesëmarrja me letra me vlerë për privatizim, në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohet në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk mund të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të kontabilizuar…”. Përdorimi i bonove dhe lekëve të privatizimit në shoqëritë tregtare të sektorëve strategjike përcaktohet me ligj të veçantë për secilën shoqëri.
Tregu
Situata për bonot e privatizimit të emetuara
Të shpërndara 51.229.000.000 ose 68.3 %
Të pashpërndara 23.748.000.000 ose 31.7 %
Totali 74.977.000.000 ose 100.0 %
Të përdorura në privatizim 10.935.193.000 ose 14.6 %
Të papërdorura 64.041.807.000 ose 85.4 %
Ish-të përndjekurit
Të shpërndara 17.113.000.000 ose 100.0%
Të përdorura në privatizim 4.668.759.000 ose 27.4 %
Të pa përdorura 12.444.241.000 ose 72.6 %
Privatizimet
Përdorimi i bonove për shoqëri të caktuara
Në Ligjin nr. 8515, datë 21.07.1999, “Për privatizimin e shoqërisë anonime “Albanian Mobile Communication” (AMC)””, në nenin 3, pika 3, përcaktohet që: “Aksionet që mbeten pas procedurës së përshkruar më sipër do të shiten me ofertë publike ose edhe me ankand publik në përputhje me aktet ligjore në fuqi”. Në Ligjin nr. 8810, datë 17.05.2001, “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Albtelecom”, neni 2., pika 4., përcaktohet që: “Aksionet që mbeten pas procedurës së përshkruar në pikën 3., do të transferohen nëpërmjet ofertës publike dhe ose me ankand publik, sipas akteve ligjore në fuqi. Mënyra e transferimit dhe madhësia e kësaj pakete aksionesh, do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.” Në Ligjin nr. 9117, datë 24.07.2003, “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të “ARMO” sh.a., Fier”, neni 4., pika 5., përcaktohet: “Në se investitori strategjik nuk e ushtron të drejtën e parablerjes, sipas pikës 4 të këtij neni, pjesa e mbetur, nëse ka, pas procedurës së përshkruar më sipër, me vendim të Këshillit të Ministrave, do të transferohet me ofertë publike dhe ose me ankand publik.” Në ligjet e privatizimit të AMC, Albtelecom, ARMO dhe OSSH përcaktohet që punonjësve dhe familjarëve të tyre, të këtyre shoqërive, u ofrohen aksione përkundrejt letrave me vlerë apo bonove të privatizimit që posedojnë në bazë të ligjit. Për futjen në përdorim të lekëve dhe bonove të privatizimit është e nevojshme të plotësohen disa parakushte: Së pari, përgatitja dhe miratimi i amendimit të Dekretit të Presidentit nr. 1030, datë 23.02.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”, për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë të përdorimit të letrave me vlerë. Konkretisht me Dekret të Presidentit Nr.4858, datë 10.05.2006 afati i përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit është deri me 31.12.2010. Së dyti, të përgatitet dhe miratohet kuadri i nevojshëm ligjor, për përcaktimin e platformës dhe programit të përdorimit të bonove dhe lekëve të privatizimit, nëpërmjet një grupi pune të ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave me përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Bursa e Tiranës, Komisioni i Letrave me Vlerë. Së treti, është e nevojshme të bëhet inventarizimi i gjendjes aktuale të shpërndarjes së tyre dhe poseduesve të tyre, evidentimi i shpërndarjes së deritanishme dhe përcaktimi i skemës së ndarjes së pjesës të pashpërndarë të letrave me vlerë. Së katërti, do të kërkohet angazhimi i aktorëve privatë të sektorit bankar apo ndërmjetësve të licencuar financiarë.
Vlera
Rritja e vlerës së bonove në treg dhe përdorimi nga qytetarët
Lidhur me rritjen e vlerës së bonove në treg dhe përdorimin e tyre nga qytetarët, gjykojmë që realizimi i parakushteve do të krijojë kushte reale tregu. Sikurse jeni në dijeni, bonot e privatizimit, deri më tani janë përdorur në procesin e privatizimit për: blerjen e aksioneve të shoqërive anonime shtetërore (të vogla e të mesme) gjatë privatizimit të tyre. Transferimin e paketave të aksioneve për punonjësit e shoqërive të privatizuara; blerjen e aktiveve fizike (aseteve) ose ndërmarrjeve të vogla gjatë ankandeve publike ose në shitjen direkte të tyre. Lidhur me angazhimin e bursës, si instrument ndërmjet tregut financiar dhe atij të kapitaleve, do të kërkonte kuotimin e kapitaleve në të, dhe një nivel ndërkombëtar të menaxhimit të shoqërive dhe sisteme të kompjuterizuara të mbajtjes, monitorimit dhe kontrollit të gjendjes financiare të bilancit të tyre. Këto nivele, aktualisht, shoqëritë shtetërore i arrijnë pas realizimit të procesit të privatizimit të paketës së investitorit strategjik, duke konsideruar për këtë temë vetëm shoqëritë shtetërore të sektorëve strategjikë.
Ankandet
Forma e vetme e përdorimit të letrave me vlerë
Forma e vetme e përdorimit të letrave me vlerë, në kuadrin e programit të privatizimit të shoqërive në sektorët strategjikë, është ajo e transferimit të një pakete aksionesh nëpërmjet ankandit publik. Ky ankand mund të fillojë vetëm pas transferimit të paketave të aksioneve tek investitorët strategjike, ish-pronarët e truallit dhe punonjësit e shoqërisë përkatëse. Procedura e ankandit publik, ndër të tjera, parashikon edhe pjesëmarrjen e publikut me letra me vlerë. Kjo formë klasike ankandi mund të verifikojë deformime të tregut të letrave me vlerë dhe efekte negative serioze në menaxhimin e shoqërive.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010