E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kaluara shqiptare në Çeki

Autori i Lajmit: Redaksia

Filmit shqiptar i kushtohet një javë e posaçme në Çeki. Pesë filma shqiptar do të paraqiten në kinemanë “Ponrepo” të Arkivit çek të Filmit, mes të cilëve vetëm “Koncert në vitin 36” i regjisorit Saimir Kumbaro është prodhim i para viteve 90. “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i regjisorit Piro Milkani, “Parullat” i Gjergj Xhuvanit, “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës dhe “Gjallë” i Artan Minarollit. Piro Milkani, i pranishëm në këtë aktivitet, shprehet se realizimi u mundësua falë bashkëpunimit mes dy arkivave të filmit dhe ambasadës shqiptare në Çeki. Një katalog i përgatitur me këtë rast, veç sinopsit për secilin nga filmat, përmban edhe një historik të shkurtër të kinemasë shqiptare, shkruar nga Milkani.
“Gjallë”, gjakmarrja në kinema
Filmi, me skenar dhe regji të Minarollit, prek një temë shqiptare, siç është gjakmarrja, duke gërshetuar kohët, të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Bazuar në skenarin e Ylljet Aliçaj, ngjarjet e filmit vendosen në vitin 1997, në kohën e trazirave në Shqipëri. Në qendër është Koli, djaloshi malësor, studenti i vendosur në metropolin shqiptar, por që është edhe viktima e radhës së gjakmarrjes. I kthyer papritur në Malësi pranë familjes së tij pas lajmit për vdekjen e të atit, pikërisht në varrim ai mëson për të parën herë se është pjesë e zinxhirit të një gjakmarrjeje. Krah aktorit Nik Xhelilajt interpretojnë edhe emra të tjerë, si Bruno Shllaku, Reshat Arbana, Niada Saliasi, Tinka Kurti, Xhevdet Ferri, Luljeta Bitri etj. Filmi, një bashkëprodhim shqiptaro-austriako-francez, ka mbyllur xhirimet në gusht të vitit 2008, ndërsa postproduksioni i tij është realizuar në Austri.
Edhe kooproduksioni i parë shqiptaro-çek
"Trishtimi i zonjës Shnajder" është kooproduksioni i parë shqiptaro-çek që u realizua nga regjisori Piro Milkani, i cili është njëkohësisht bashkëproducent me Jana Tomsoven. Skenari është shkruar nga Radek Shofr dhe Piro Milkani, drejtorë fotografie janë Miro Gabor dhe Afrim Spahiu. Në rolet kryesore interpretojnë aktorja çeke Anna Geslerova dhe Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Konfrontimi i jetës plot qejfe dhe vëmendja e kineastëve të rinj për fshatin çek, takimi me një kategori të tërë personazhesh (konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës) përbëjnë një anë të historisë. Ana tjetër përfaqëson dramën personale të studentit Lekë që vjen nga një vend totalisht i izoluar nga pjesa tjetër e Europës që është në dilemë mes përkatësisë së tij me familjen dhe veçanërisht me nënën e tij dhe magjepsjen pas stilit çek të jetës, shkujdesjes erotike dhe jetën e lirë të "rinisë së artë" çeke. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua të pjekur, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete.
“Parrulat”, edhe komunizmi
Filmi “Parullat” i Gjergj Xhuvanit. Ngjarjet vendosen në Shqipërinë komuniste. Regjimi krijon forma nga më të ndryshmet pune dhe edukimi, duke marrë edhe shembujt e Kinës Komuniste dhe Bashkimit Sovjetik, për të detyruar popullatën që, përmes parullave, të idealizojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij! Në këtë bashkëprodhim franko-shqiptar, personazhet vijnë përmes interpretimit të aktorëve Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Niko Kanxheri, Festim Ndrenika, Rita Lati, Marko Bitraku, etj. Që në rreshtat e parë të skenarit të shkruar nga Ylljet Aliçka mund të ndjehet i njëjti tis komedie dramatike që shoqëronte mësuesit dhe nxënësit e shkollës që duhet të mirëmbanin parullat me gurë gëlqereje në male.
Mao Ce Dun, komedi dhe tragjedi... jeta e një shqiptari të zgjuar
Historia e shqiptarit rom, që i vuri emrin të birit Mao Ce Dun do "të rrëfehet" edhe për publikun çek. “Mao Ce Dun”, një nga prodhimet e fundit kinematografike shqiptare, pati premierën e tij 2 vjet më parë. Me skenar të Besnik Mustafait dhe regji të Besnik Bishës, filmi është një komedi tragjike, që tregon për një rom, i cili gjatë viteve të vëllazërisë shqiptaro-kineze i vë të birit të sapolindur emrin e udhëheqësit kinez Mao Ce Dun. Në film interpretojnë aktorët Fadil Hasa, Miola Sitaj, Ola Sadiku etj.

Ti doje të shkruaje një fugë
Pas dy romaneve të botuar në dy vitet e fundit, “Katër, ose një film i fundit mbi komunizmin tonë” (2008) “Mandakall, ose një vrimë që hapet në realitet zor se mbyllet” (2009), autori Idlir Azizi vjen sërish në Zenit, këtë radhë me një sprovë krejtësisht të veçantë që rreh të konceptualizojë në tekstin “Ti doje të shkruaje një fugë” pasuar nga “e/h”, atë çka është paralajmëruar qysh në faqen e parë përmes një vargu poezie: ... Uf, me qenë – Vip – Skandal! Sa televizive! – si Bretkocë – Ta kuasësh emrin – në çdo Stinë – Hipur mbi këtë Moçal! Emily Dickinson (e parodizuar). Një profesor filozofie në universitetet private të Tiranës kërkon me ngulm një bombë. Por për çfarë e përse? Ky tekst shoqërohet nga një bisedë imagjinare mes Enver Hoxhës dhe mjekut të tij në fund të jetës. Si në dy romanet më parë, autori ka si skenë Tiranën e këtyre dhjetë viteve të fundit të post-tranzicionit. Dhe që fundon në një rezultat të zulmshëm e funksional, sa funksional aq edhe real... “... Sepse ja rezultati, dhe kaq është fundi i kësaj historie të gjatë, gjoja, unë skam arritur tek e fundit asgjë të rëndësishme në këtë vend, asgjë të madhe skam realizuar dot në Shqipëri, jo dhe aq të madhe e kam fjalën, me këtë popull e kam fjalën, vetëm se i kam bërë tashmë të gjithë shqiptarët ruajalistë. Me kohë të gjithë shqiptarët në Shqipëri do jenë ruajalistë, i tha aktori që luan Enver Hoxhën aktorit që luan rolin e mjekut të tij.”

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›