Krimi te Xhamllëku Vajza akuzon nënën: “Përgjegjëse për vrasjen e burrit tim”
Autori i Lajmit: Redaksia
Fatjona Hasani, bashkëshortja e Armando Hasanit që u vra më 31 Janar nga xhaxhai i vajzës dëshmon se përgjegjëse për krimin ka qenë nëna e saj, Entela Dashi. Por reagimi e së ëmës ka qenë i menjëhershëm, duke mohuar akuzën e bërë nga e bija.
Fatjona Hasani 17-vjeçare akuzoi dje në mesditë në media, nënën e saj se së bashku me xhaxhanë, Albert Dashi vrau bashkëshortin. Nëna ime është përgjegjëse për vrasjen e Armandos. “Të dielën Armando doli të pijë një kafe. Nëna ime është parë së bashku me xhaxhanë dhe kanë thirrur Armandon të dalë jashtë. Pasi ka dalë dhe kanë debatuar xhaxhai e ka vrarë me tre plumba burrin tim”, tregoi vajza.
Akuzat
17-vjecarja vazhdoi rrëfimin duke treguar se prindërit e saj, sidomos nëna kanë qenë kundër lidhjes së saj me Armandon dhe për këtë e kishin kërcënuar. “Unë kam denoncuar dhe më parë në polici se ma kishin kërcënuar burrin. Nëna ime nuk donte të vazhdohej kjo martesë. Ajo thirri xhaxhanë dhe ja mbushi mendjen se Armando më keqtrajton që më pas ky ta vriste”. Sa i përket xhaxhait, Fatjona shpjegoi se nuk ka pasur asnjëherë konflikte me të. Por, edhe prindërit e djalit të vrarë dëshmuan se prindërit e vajzës kishin kërcënuar gjithmonë se “nuk do ta gëzonin vajzën e tyre si nuse”. Një dëshmi tjetër kundër nënës së Fatjonës erdhi nga një person i dytë, prezent në vendngjarje ditën e vrasjes së 30-vjeçarit, Armando Hasani. Blerim Luku tha se Entela Dashi, nëna e Fatjonës ka qenë të dielën krah vrasësit. “Kishte veshur tuta blu. Kur Alberti e qëlloi 3 herë më plumb Armandon, në kokë dhe bark, i thashë gruas që mos të ikë, por ajo vrapoi dhe u largua”, tregoi Luku. Këto kanë qenë deklaratat e bëra kur menjëherë në “Me zemër të hapur” ka mbërritur telefonata nga nëna e Fatjonës, Entela Dashi. “Unë nuk kam më vajzë, vajza që kisha për mua vdiq. Por, ato që thotë ajo nuk janë të vërteta. Kam qenë në shtëpi në momentin që ka ndodhur kjo vrasje”.
Dëshmia e nënës
Entela Dashi shpjegon se ka qenë kundër martesës, pasi vajza e saj ishte e vogël dhe Armando moshë e madhe. Sipas saj, lidhja dashurore e vajzës me djalin solli braktisjen e shkollës dhe më pas martesën e hershme të Fatjonës. Siç shton Dashi në mes çiftit ishin dhe konfliktet. “Ai ma rrihte vajzën, pinte gjithë ditën në lokal, nuk ka nënë që duron këtë, por hedh poshtë çdo dëshmi se kam qenë ditën e vrasjes së Armandos. Madje, ngushëlloj prindërit për humbjen e djalit të tyre". E pyetur se çfarë konflikti kishte mes Albert Dashit dhe Armand Hasanit, Entela Dashi tha se “kunati im jeton në Greqi dhe mbërriti këtu pasi donte të takonte vajzën se është i divorcuar nga gruaja e tij. Kishte vetëm një javë në Shqipëri dhe nuk e di se çfarë mund të ketë pasur me Armandon”. Por, edhe pas justifikimit të nënës, Fatjona u shpreh se nuk do të largohet kurrë nga banesa e ish-të shoqit dhe se nuk do ta falë kurrë nënën e saj për vrasjen e bërë.
Ngjarja
Si u vra Armando Hasani
Vrasja e 30-vjeçarit Armando Hasani i komunitetit rom ndodhi të dielën pasdite rreth orës 17:20 minuta në Tiranë, në zonën e njohur si Xhamllëku në kryeqytet. Si autor i vrasjes u arrestua Albert Dashi, xhaxhai i bashkëshortes së Armandos. Policia e kryeqytetit arriti të identifikonte si autor Albert Dashin, 35 vjeç, xhaxhai i vajzës me të cilën bashkëjetonte viktima, por që e kishte njohur si bashkëshorte mbesën e autorit. Sipas hetimeve të kryera dhe dëshmive të familjarëve, disa herë ata ishin grindur në familje mes tyre pasi Dashi nuk pranonte lidhjen e Hasanit me mbesën e tij dhe aq më tepër në bashkëjetesë.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010