ISKSH, brenda janarit, kontratat me spitalet
Autori i Lajmit: Entela DurajInstituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të nënshkruajë kontratat me 39 spitale në të gjithë Shqipërinë në ditët e para të janarit 2010. Sipas burimeve zyrtare nga ISKSH, në kontratat e reja me spitalet do të futen për herë të parë cilësia e shërbimit ndaj pacientit dhe reduktimi i pagesave informale. Bluzave të bardha u janë vendosur kushte të reja në kontrata, të cilat, nëse plotësohen, u sigurojnë mjekëve shtesa financiare mbi pagën. Risi në kontratën spitalore të vitit 2010, është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh të cilët janë: përqindja e shfrytëzimit të shtratit të pacientit,(sa më e lartë të jetë aq më efikas është spitali); përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë, (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi); përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali, (sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve; përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët tregon performancë të mirë të Maternitetit. ISKSH thotë se qëllimi i kësaj reforme është fuqizimi i spitaleve rajonale ndërsa mjekëve do tu kërkohet të respektojnë sistemin e referimit, në të kundërt do të përballen me penalitete nga 10-30 mijë lekë. Moszbatimi i sistemit të referimit do të gjobitet me 10.000 lekë për rastin e parë të konstatuar dhe në rast të përsëritjes 30.000 lekë të reja e deri në masa të tjera administrative si propozim për largim nga puna. Buxheti i ri i ISKSH për vitin 2010 është 25.9 miliardë lekë, fond ky që mbulon shërbimet shëndetësore në qendrat shëndetësore dhe spitalet, pagat e mjekëve dhe administratës, përveç investimeve që i përkasin Ministrisë së Shëndetësisë. Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe identifikojë lëvizjen e pacientëve si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Mirëfunksionimi i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime.
Pipero
”Më shumë shërbime mjekësore, nëse paguhen sigurimet”
Për vitin 2010, ministria e Shëndetësisë premton më shumë akses shërbimesh shëndetësore për qytetarët dhe natyrisht kualitet të saj. Drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, në një intervistë për mediat shpjegon sfidat që e presin sektorin më jetik dhe më të përfolur të shëndetësisë gjatë këtij viti që sapo kemi nisur.
Çfarë të rejash do të sjellë 2010 për shërbimin shëndetësor?
“Fundi i 2009-ës, për sektorin e shëndetësisë mund të konsiderohet pa mburrje i suksesshëm pasi ne mundëm të nisnim zbatimin e sistemit të referimit për ti dhënë akses shërbimi çdo qytetari. Një nga sfidat që na pret në fillim të vitit të ri është dhënia e çdo shërbimi të nevojshëm shëndetësor në të gjithë vendin, por pa harruar dhe cilësinë e tij. Për këtë themi se do të punojmë fort, paralelisht me reformën e nisur që në fillim të muajit janar në shërbimin spitalor. Por kjo smund të kuptohet pa një angazhim të dyanshëm me qytetarin.
Për çfarë e keni fjalën më konkretisht, pasi qytetarët vazhdojnë të ankohen për mungesa të mëdha në spitale që nga medikamentet e nevojshme e deri tek infrastruktura që lë për të dëshiruar?
Duhet të kuptoni një gjë: që jemi në hapat e parë të reformës dhe lidhja e kontratave të spitaleve me ISKSH sdo të thotë ndryshim menjëherë të situatës. Natyrisht, ka vend për ankesa, pasi nëse do të flisnim për reformë të përfunduar do të kishim një performancë ndryshe, medikamente, infrastrukturë dhe kapacitete diagnostike, spitale të reja, por të gjitha këto kërkojnë shumë investime dhe një nga burimet e financimit janë sigurimet shëndetësore. Ndaj kërkojmë bashkëpunimin me qytetarët pasi nëse nuk paguajmë për shërbimin që kërkojmë, smund të flasim aq më keq për cilësinë e tij. Cilësia dhe aksesi janë të lidhura ngushtë me sigurimet shëndetësore.
Po ju si ministri çdo të bëni për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor?
Përveç sigurimeve të qytetarëve, ne kemi dhe burime të tjera financimi që nga buxheti këtë vit më i lartë e deri tek donacionet e huaja, Banka Botërore e OBSH. Por mund të them se që nga viti 2010, të ardhurat dytësore që arkëtojnë spitalet e poliklinikat, me një vendim qeverie, do të mund të përdoren nga vetë këta për rritjen e performancës në shërbimin ndaj pacientit. Kjo mendoj është një nga vendimet më të rëndësishme që do të rrisin investimet në sektorin e shëndetësisë.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010