Prokuroria: “Gjykimi i Aldo Bares, jo si Lul Basha”
Autori i Lajmit: Redaksia
Avokati i Aldo Bares, kapos së Bandës së Lushnjes një seancë më parë u përpoq që të përdorte të njëjtën strategji, si ministri Lulëzim Basha, kur u akuzua për shpërdorimin e fondeve me rrugën Durrës-Kukës, ku akuzonte organin e akuzës për pavlefshmëri fondesh.
Gjyqi vazhdoi dje edhe pse pa praninë e Bares, ku prokurorët kërkuan të rrëzohen kërkesat e kapo bandës me pavlefshmërinë e akteve të dosjes me argumentimin se të gjitha veprimet hetimore janë kryer brenda afateve ligjore, ndryshe nga sa ka pretenduar pala mbrojtëse. Një seancë më parë, avokati Vladimir Meçi u shpreh se, procesi gjyqësor ndaj klientit të tij duhet të pushohet, pikërisht për të njëjtën arsye që u pushua dhe çështja ndaj ministrit Basha.
Bojkot gjyqit
Aldo Bare i akuzuar nga Prokuroria si kapo i Bandës së Lushnjes, refuzon të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të rënda me argumentin se ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe se nuk është lejuar nga autoritetet e burgjeve për tu takuar me avokatin e tij mbrojtës Vladimir Meçi. Në deklaratën e të akuzuarit ishte vënë shënimi nga mjeku i burgut, i cili vërtetonte se Bare ka probleme shëndetësore, por ka mundësi për tu paraqitur në gjyq. Ndaj duke i cilësuar si të pabazuara në ligj pretendimet e të pandehurit, gjykata vendosi të shpallë mungesën dhe të vazhdojë seancën.
Juristët: “Çështja e njëjtë”
Procesi gjyqësor ndaj Aldo Bares, sipas juristëve, ka të njëjtin problem procedural me çështjen “Durrës-Kukës”, gjatë kohës që ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme, për abuzime me fondet e rrugës Durrës-Kukës. Menjëherë pas vendimit të prokurorisë, avokati i ish-ministrit të Transporteve iu drejtua Gjykatës së Tiranës, ku kërkoi shpalljen e pavlefshme të akteve të prokurorisë, me argumentimin se janë marrë tej afateve ligjore të parashikuara në ligj. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtarja që aktualisht gjykon Aldo Baren, ndërsa kolegji penal i Gjykatës së Lartë i dha vendimit formë të prerë, duke vendosur pushimin e gjykimit ndaj ministrit Basha.
Vendimi më datë 10
Gjykata do të shprehet me vendim me seancën e datës 10 shkurt. Ndaj tij rëndojnë akuzat për dhjetëra vrasje, rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, etj. Ai u ekstradua në nëntor të vitit të kaluar nga Turqia, ku ishte arrestuar që prej tre vitesh, pas një urdhër- arresti të lëshuar ndaj tij nga autoritetet e drejtësisë shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010