BQE: Mos i rrisni pagat
Banka Qendrore Evropiane u ka bërë thirrje qeverive të vendeve të zonës euro që të mos ndërmarrin asnjë rritje masive pagash, pasi kjo do të përkeqësonte më tej inflacionin sakaq të lartë në zonën euro. Këshilli Mbikëqyrës i BQE, në një deklaratë zyrtare u shpreh i shqetësuar për ekzistencën e skemave, përmes së cilave disa qeveri po planifikojnë të indeksojnë pagat për të kompensuar efektet e inflacionit. "Skema të tilla janë një rrezik i fortë për goditje të mëtejshme të inflacionit, çka do ta zhyste ekonominë në një spirale paga-inflacion, duke përkeqësuar madje dhe papunësinë. Për këtë, Këshilli Mbikëqyrës bën thirrje që skema të tilla të evitohen", thuhet në deklaratën zyrtare. Një rekomandim i tillë u dha edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si edhe nga Banka Botërore për qeverinë shqiptare, por kjo e fundit vetëm pak ditë më parë njoftoi se do të rrisë pagat mbi nivelin e inflacionit, gati dy deri në tre herë.