E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i naftës rritet, por fitimi i ARMO-s ulet

Shoqëria ende shtetërore e rafinimit të naftës, njoftoi se për tre muajt e parë të vitit fitimi i saj arriti në 314 milionë lekë me një mesatare prej 100 milionë lekësh fitim mujor. Ndonëse çmimet e naftës në tregun vendas vazhdojnë të rriten me ritme të larta dhe gjatë këtij viti janë 30 për qind më të larta se një vit më parë, fitimi i shoqërisë është në rënie. Në vitin 2006 ARMO e mbylli bilancin e saj me një fitim prej 1.94 miliardë lekësh ose me një fitim mujor prej më shumë se 160 milionë lekë. Në vitin 2007 fitimi pësoi një ulje të vogël, duke arritur në 1.74 miliardë lekë me një mesatare prej 145 milionë lekësh në muaj. Drejtuesit e shoqërisë e argumentuan këtë me faktin se u detyruan të furnizonin me karburant nën kosto TEC-in e Fierit. Gjatë 3 viteve të fundit, kompania ARMO ka pasur fitime dukshëm më të larta se vitet e mëparshme për shkak të situatës së favorshme të çmimeve në tregun e çmimit të naftës.

Rritje çmimesh

Rritja në mënyrë të vazhdueshme e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, si dhe në tregun vendas gjatë vitit 2007 dha ndikimin e vet në të ardhurat për kompaninë publike të tregtimit të nënprodukteve të naftës, ARMO. Duke ndjekur çmimin sipas bursave ndërkombëtare të naftës, vetëm nga eksportet e bitumit, naftës verxhine, solarit, si dhe koksit, u siguruan të ardhura në vlerë totale prej rreth 33,4 milionë USD në vitin që kaloi. Nafta verxhine u rrit nga 500 USD/ton, në fillim të 2007-ës, në 683.75 USD/ton në fund të tij. Ndërsa çmimi i bitumit lëvizi nga 250 USD/ton, deri në 290 USD/ton, për solarin ky çmim ndryshoi nga 250 USD/ton, në 330 USD/ton dhe për koksin, nga 40 USD/ton, në 60 USD/ton.

Bum tenderash

Vetëm për dy javët e fundit ARMO ka prokuruar më shumë se 1 milionë dollarë tendera, kryesisht për shpenzime administrative dhe blerje të lëndës së parë. Kjo ndodh në një kohë kur ARMO, është tashmë thuajse e privatizuar për shkak se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ka shpallur dhe fituesin e tenderit. Procedura e fundit zyrtare që mbetet për të përfunduar kalimin e shoqërisë në pronësi të blerësit të ri mbetet vetëm miratimi i vendimit të Komisionit së bashku me raportin e Konsulentit nga Këshilli i Ministrave, që pritet të ndodh shumë shpejt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›