BQE nis blerjen e borxheve të eurozonës
Banka Qendrore Europiane (BQE) po bën përpjekje për të blerë borxhet e disa vendeve në eurozonë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë BQE me anë të një deklarate për mediat, ku theksohet se qëllimi është mbajtja nën kontroll e përhapjes së krizës europiane të borxheve. Një javë më parë, BQE bleu 3.36 miliardë euro borxhe shtetërore të vendeve më të ngarkuara. Nga maji i vitit 2010, deri tani kjo bankë ka blerë mbi 211 miliardë euro borxhe nga vendet europiane. Guvernatori i BQE-së, Mario Dragi u bëri thirrje vendeve të eurozonës të fillojnë sa më parë “mekanizmin europian të stabilitetit financiar”. Sipas Dragi-t, mekanizmi do të parandalojë përkeqësimin e vlerësimit të kredive sovrane.