Banka Botërore: 21.6 mln dollarë për sigurinë e digave
Tri digat e kaskadës të lumit Drin do të rehabilitohen së shpejti. Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore miratoi dje një hua prej 21.6 milionë dollarësh, një financim shtesë ky për Republikën e Shqipërisë për Programin APL të Komunitetit të Energjisë të Europës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë. Financimi shtesë do të plotësojë kredinë origjinale të IDA-s prej 35.3 milionë USD për të mbështetur qeverinë në sigurimin e hidrocentraleve më të mëdha të vendit mbi kaskadën e Drinit. Projekti gjithashtu do të ndihmojë në përmirësimin e eficiencës operacionale dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji për tregun rajonal të energjisë elektrike.
Huaja shtesë do të mbështesë rehabilitimin e ujëshkarkuesve në tri digat e kaskadës së lumit Drin (hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës);
rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit nëpërmjet rinovimit të pajisjeve elektro-mekanike dhe zëvendësimit të sistemeve ekzistuese të kontrollit, mbrojtjes dhe monitorimit. “Ky financim shtesë do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të projektit origjinal, duke kontribuar në këtë mënyrë për sigurimin e hidrocentraleve kryesorë të Shqipëri dhe duke ndihmuar në parandalimin e një fatkeqësie të mundshme nga një prishje e digës”, - tha Salvador Rivera, drejtuesi i ekipit të Bankës Botërore për Projektin e sigurisë së digave. Programi APL i Komunitetit të Energjisë të Europës Juglindore – APL 5 për Projektin e sigurisë së digave të Shqipërisë është pjesë e një programi më të madh të sigurisë së digave, i financuar paralelisht nga donatorë të tjerë si SECO-Zvicër, KfW Gjermani, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Qeveria e Shqipërisë.