Monedhat e huaja vazhdojnë të forcohen kundrejt lekut

Monedhat kryesore të huaja në tregun shqiptar, dollari amerikan dhe euro kanë vazhduar të fitojnë pikë ndaj lekut në shkëmbimet valutore gjatë javës së fundit. Në mesjavën e kaluar, një dollar u ble me 96,9 lekë dhe u shit me 97,4 lekë, ndërsa sot (14 shkurt) një dollar blihet me 100,2 lekë dhe shitet me 100,7 lekë. Nga 87,7 lekë që blihej në fillim të vitit dhe 88,2 lekë që shitej, dollari amerikan rezulton me fitimin e mbi 12,5 pikëve. Gjatë javës së fundit kjo monedhë ishte në rritje në shkëmbimet valutore ndaj lekut, por sot është forcuar me mbi 3,2 pikë më shumë, kundrejt mesjavës së kaluar. Kuota e arritur nga dollari në shkëmbimet valutore ndaj lekut është më e larta e këtij viti. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për monedhën europiane, euro, që sot në tregun valutor blihet me 129 leke dhe shitet me 129,5. Dje euro u ble me 129,3 lekë dhe u shit me 129,8 lekë. Euro arriti në fundjavë kuotën më të lartë gjatë këtij viti, duke fituar terren ndaj monedhës shqiptare dhe duke shkuar në vlerën e saj maksimale. Në krahasim me datën 5 janar, kur një euro u ble me 123,3 lekë dhe u shit me 123,8, sot në tregun valutor të kryeqytetit monedha evropiane rezulton me fitimin e 6 pikëve që nga fillimi i vitit. Vitin e kaluar, dollari arriti kuotën më të lartë të këmbimit ndaj lekut në muajin nëntor, kur blihej me 96,7 lekë, ndërsa euro në muajin mars, kur blihej me 125,3 lekë.
...