E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Bankat u stabilizuan, por kreditë e këqija mbeten

Banka e Shqipërisë bëri të ditur dje se në bazë të analizave të saj, problemet që sistemi bankar hasi në tremujorin e fundit të vitit të kaluar janë drejt zgjidhjes, se besimi i publikut është rivendosur dhe se bankat mbeten të mirëkapitalizuara dhe shumë të qëndrueshme përballë problemeve. Megjithatë, problemet ekonomike pritet t‘i rëndojnë fitimet e bankave edhe për shumë kohë.

"Rezultati financiar i sektorit bankar, edhe gjatë vitit 2009, do të vazhdojë rënien që nisi në vitin 2008. Në fakt, kjo është pasojë e rënies të të ardhurave të veprimtarisë, për shkak të rënies së vëllimit të veprimtarive me normë fitimi të lartë dhe rritjes së kostove të veprimtarisë, veçanërisht prej rritjes së fondeve rezervë për të përballuar humbjet e mundshme nga kreditë", u shpreh dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Në periudhën shtator-dhjetor, sistemi bankar shënoi tremujorin e parë me humbje që nga viti 1999. Deri në maj të këtij viti, të dhënat e paaudituara flasin për një humbje të vogël prej 2 milionë dollarësh, por kjo është një shifër e papërfillshme përkundrejt fitimeve prej 75 milionë dollarësh të realizuara gjatë vitit të kaluar. BSH i ndaloi bankat të shpërndanin fitimet e vitit 2008, duke parashikuar humbje për këtë vit.

Por bankat po përballen gjithnjë e më shumë me kredi të këqija dhe BSH shqetësohet për faktin se dobësimi i stabilitetit financiar si dhe ngadalësimi ekonomik i pranishëm, mund t‘i shtojë këto probleme. Kështu, kreditë e këqija u rritën në maj në 8.9 për qind të portofolit. Fitimet e bankave janë reduktuar nga nevoja për të mbuluar humbjet që kanë prodhuar kreditë e pakthyera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›