E Shtunë, 31 Tetor 2026

TAP fillon përcaktimin e rrugës së gazsjellësit

Kompania zvicerane që menaxhon projektin për ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik njoftoi së fundi se ka filluar fazën vlerësuese të rrugës së detajuar ku do të kalojë tubacioni në territorin e Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, TAP thotë se do të analizojë në terren katër alternativa të identifikuara fillimisht nga fotografi satelitore për të përcaktuar rrugën finale si dhe për të vlerësuar vështirësitë që mund të hasen gjatë ndërtimit. Sipas saj, prioriteti kryesor i kësaj faze është që gazsjellësi të shmangë kalimin përmes parkut kombëtar të Hotovës, në Përmet për shkak se është rezervë natyrore e mbrojtur. Rreth 40 specialistë pritet të vizitojnë vendin tonë për këtë qëllim.

Gazsjellësi Trans-Adriatik synon të lidhë tubacionin ekzistues Turqi-Greqi me Italinë e Jugut, duke ndërtuar 520 kilometra tubacione në Greqi, Shqipëri, nën det dhe në Itali. Gazsjellësi me kapacitet 10 miliardë metër kub në vit mund të kushtojë 1.5 miliardë euro. Problemi kryesor i kompanisë është se ka pasur vështirësi në gjetjen e burimeve të lira të gazit në vendet e detit Kaspik dhe Azisë Qendrore. Qeveria zvicerane u kritikua nga qeveria e Shteteve të Bashkuara pak kohë më parë për shkak të angazhimit të TAP për blerjen e gazit natyror në Iran.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›