E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Qeveria të ruajë deficitin

Qeveria shqiptare duhet të përshtasë shpenzimet me të ardhurat, ndërkohë që biznesi dhe individët duhet të marrin masa kundër luhatshmërisë së lartë në kursin e këmbimit. Kjo është këshilla e Bankës së Shqipërisë për menaxhimin e financave personale apo atyre publike në kohë krize.

Në një konferencë për shtyp, guvernatori i BSH, Ardian Fullani, i sugjeroi edhe një herë qeverisë të shtrëngojë rripin për të mos dëmtuar stabilitetin makroekonomik me shpenzime të tepërta buxhetore, ndërsa u këshilloi qytetarëve të marrin parasysh se leku mund të dobësohet më tej.

"Realizimi i shpenzimeve publike duhet të përshtatet me nivelin e realizimit faktik të të ardhurave. Banka e Shqipërisë vlerëson se ruajtja e objektivit të përcaktuar në fillim të vitit për deficitin buxhetor, do t‘i shërbente më mirë realizimit të financimit të tij me një kosto më të ulët dhe çlirimit të fondeve për përdorim në tregun e brendshëm dhe për sektorin privat", tha dje Fullani.

"Për shkak të paqëndrueshmërisë së eksporteve dhe rënies së dërgesave nga emigrantët, deficiti i llogarisë korente në bilancin tregtar shfaqet i përkeqësuar. Nëse kjo prirje forcohet, ajo mund të ndikojë në mënyrë të qëndrueshme strukturën e flukseve të valutës në tregun e brendshëm, duke ndikuar mbi kërkesën dhe ofertën për valutë dhe duke sjellë rritjen e luhatshmërisë mbi kursin e këmbimit të monedhës kombëtare", vijoi ai.

"Të gjithë agjentët ekonomikë, publikë dhe privatë duhet të vlerësojnë ndjeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj lëvizjeve të mundshme të pafavorshme të kursit të këmbimit, dhe të ndërmarrin veprimet mbrojtëse të nevojshme".

Paralajmërim i dyfishtë

Fullani ka këshilluar publikisht disa herë gjatë këtij viti qeverinë të pranojë realitetin e krijuar nga kriza botërore dhe të shkurtojë shpenzimet, ndërsa ka bërë të qartë se leku do t‘i nënshtrohet vetëm kërkesë-ofertës. Kjo e fundit është dukshëm në disfavor të monedhës kombëtare. Deficiti i llogarisë korrente, i cili mat diferencën mes valutës që hyn dhe asaj që del, në rastin e Shqipërisë ka vijuar të thellohet. BSH ka bërë të qartë shumë herë se e "mirëpret" vetëkorrigjimin e lekut përballë euros si një mënyrë që redukton deficitin.

"Lëvizja e lirë e kursit të këmbimit ofron një instrument automatik të korrigjimit të këtyre disekuilibrave në kërkesën dhe ofertën për valutë në tregun e brendshëm", tha Fullani.

Por politikëbërësit në të gjitha vendet e Europës Lindore janë në dilemë nëse duhet të përdorin zhvlerësimin si mjet për zgjidhjen e disbalancave të ardhshme, apo duhet të tentojnë uljen e konsumit përmes uljes direkte të pagave dhe përfitimeve sociale. Në Shqipëri, për shumë ekspertë është e qartë se shkaku i thellimit të deficitit ka qenë sjellja e qeverisë dhe shpenzimet jashtëzakonisht të larta në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Zhvlerësimi i monedhës, nga njëra anë ul deficitin e jashtëm dhe nga ana tjetër, rrit numrin e kredive të këqija. Për këtë arsye, tendenca e përgjithshme politike është që qeveria të ulë shpenzimet. Serbia, Letonia e vende të tjera kanë ulur pagat për administratën publike, një politikë kjo që ishte disi e paimagjinueshme më parë. Bosnja uli ndihmat ekonomike për veteranët e luftës, pavarësisht protestave të ashpra. Por qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk ka ndër mend të marrë masa të tilla, por ka vijuar të shpenzojë para si në ditë të mira.

Sjellja e qeverisë

"Ngadalësimi i pritshëm i rritjes ekonomike dhe vështirësitë që po ndesh sektori real i ekonomisë, vendosin nën presion të ardhurat publike, duke rritur vështirësitë për realizimin e tyre sipas planit të buxhetit për vitin 2009", thotë Fullani. Sipas tij, qeveria ka në dorë që të zbusë presionin mbi deficitin e llogarisë korrente, të krijojë hapësirë për kreditimin e sektorit privat dhe të rrisë besimin e investitorëve ndërkombëtarë. Shkurt, qeveria ka në dorë stabilitetin makroekonomik të vendit, jo vetëm për këtë vit, por edhe për të ardhmen.

"Kujdesi për mbajtjen nën kontroll të treguesve makrofiskalë automatikisht përkthehet në stabilitet dhe kredibilitet të vendit ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare. Ai përbën kushtin themelor për një rritje të qëndrueshme afatgjatë të vendit", u shpreh Fullani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›