E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit paditet në gjykatë

Ministria e Arsimit është paditur në Gjykatën e Faktit në Tiranë për shkak se masterat e kryer në universitetet europiane, i njeh thjesht si diploma të nivelit të dytë. Në këtë mënyrë, Komisioni i Njohjes dhe Vlerësimit të Diplomave në MASH merr përsipër që të "vlerësojë" standardet dhe nivelet e studimit që ofrojnë universitetet më prestigjioze në Europë. Ndërkohë që detyra e tij është të verifikojë nëse aplikuesi pranë këtij komisioni i ka kryer ose jo studimet, sipas dokumenteve që ka paraqitur, por jo të shprehet që masteri i kryer në Universitetin e Birmingamit në Britani është një shkallë më poshtë se sa masterat që kryhen në Tiranë.

Në seancën e parë gjyqësore, përfaqësuesit e paditur të Ministrisë së Arsimit, titullarët e komisionit të njohjes dhe vlerësimit të diplomave, nuk janë paraqitur dhe çështja është shtyrë për një seancë të dytë në muajin shtator. Objekti i kësaj padie është rivlerësimi i dëshmisë për njohje diplome lëshuar nga Komisioni i Njohjes dhe Vlerësimit të Diplomave pranë Ministrisë së Arsimit. Ky komision ka hartuar dhe vë në funksionim një tabelë vlerësuese për njohjen e diplomave, sipas cikleve në Kornizën Europiane të Kualifikimeve (KEK) në përputhje me Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK). Ajo që të rinjtë e konsiderojnë si paradoksale dhe të dënueshme është fakti i nivelit të njohjes së masterave disavjeçarë të kryer në universitetet më prestigjioze europiane. Sipas konvertimit të paramenduar dhe të hedhur në një skemë të posaçme niveli i 7-të i KEK, pra ai i masterave, në sistemin shqiptar sipas specialistëve tanë të Komisionit të Njohjes përthyhet thjesht dhe vetëm si diplomë e nivelit të dytë. Dhe për të ndjekur studimet për doktoraturë në Shqipëri, më parë detyrohesh që të kryesh një master të nivelit të dytë në një nga universitetet publike apo private shqiptare, pasi ata të kryer në Kembrixh, Sorbonë, në Birmingam dhe universitete të tjera me emër dhe histori, duket se nuk vlejnë edhe aq. Ajo që konsiderohet si krejtësisht e palogjikshme prej këtyre të rinjve është fakti që masteri sipas KEK, me 180 kredite, të paraqitet në tabelën e konvertimit jo në nivelin Master, siç titullohet në tërë vendet europiane, por Diplomë e Nivelit të dytë (DND). Për këta të rinj është absurde të barazosh masterin sipas kornizës europiane me DND sipas kornizës shqiptare. Dhe kjo, si nga ana formale, nga Master në DND, ashtu edhe nga përmbajtja, duke krahasuar programet e studimeve me kreditet e marra.

Numri i të rinjve që i janë drejtuar gjykatës me padi kundër MASH-it është rritur. Numërohen mbi 50 persona që kanë kryer studimet e nivelit Master jashtë vendit, por që Komisioni i Njohjes së Diplomave në MASH nuk i ka njohur ato.

Nga ana tjetër, paditësit e ministrisë pohojnë se kjo skemë që përdor ky komision në njohjen e diplomave nuk gjendet as në ligjin për arsimin e lartë në vend dhe nuk mbështetet as në një vendim të Këshillit të Ministrave. Një skemë e tillë është hartuar disa vite më parë nga njëri prej këshilltarëve të ministrit të asaj kohe.

Standardet shqiptare duket se i kanë tejkaluar edhe nivelet e BE-së, drejt së cilës Shqipëria synon të aderojë, pas plotësimit të një sërë kushteve, mes të cilave edhe përputhjes së legjislacionit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›