E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, fillon dorëzimi i dokumenteve për vizat

Duke filluar nga data 16 korrik, deri më 30 korrik 2009, të rinjtë që kanë aplikuar për të studiuar në universitetet italiane mund t‘i drejtohen agjencisë më të afërt të Albanian Courier - Union Net, e cila pa asnjë pagesë do të merret me dërgimin në ambasadën italiane në Tiranë të dokumentacionit për lëshimin e vizës për studim/universitet dhe pasaportën. Në një qëndrim zyrtar, ambasada italiane në Tiranë konfirmon se pas verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara, do të lëshohen vizat hyrëse për studim/universitet. Pasaporta do t‘u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar, Albanian Courier, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë Universitetit në Itali (Diploma e Pjekurisë dhe Certifikata e Maturës Shtetërore të legalizuara, diploma CELI 3 etj). Për ridorëzimin e dokumenteve studentët duhet t‘i paguajnë korrierit një tarifë prej 300 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 480 lekë nëse banojnë në qytete të tjera. Operacioni i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuara do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2009. Ambasada italiane sqaron më tej se në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2009, deri më 31 janar 2010. Ndërsa theksohet se nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë. Për gjetjen e zyrës së korrierit Albanian Courier - Union Net më të afërt me vendbanimin e çdo të interesuari, sugjerohet kontakti në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail albaniancourier@albaniancourier.al . Gjithashtu vihet në dukje se të gjitha modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës italiane, pranë zyrave të Albanian Courier - Union Net dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit www.ambtirana.esteri.it .

Lista e dokumenteve që duhen për lëshimin e vizës për studim/universitet, që do të dorëzohen në agjencinë Albanian Courier - Union Net më të afërt, për t‘u dërguar më pas në ambasadën italiane në Tiranë janë: formulari për kërkesë vize, i plotësuar dhe i firmosur, ngjitur në të një fotografi për dokumente. Kërkohet të shënohet një numër telefoni fiks ose celular dhe një adresë e-mail-i; deklaratë mbi të dhënat personale, të plotësuar me datë e firmë; pasaportë e vlefshme mbi tre muaj pas skadencës së vizës së kërkuar; kopje e faqes së pasaportës me të dhënat personale; kopje të faqeve me viza të tjera Schengen; dokumentacion për vërtetimin e vendqëndrimit në Itali: nëse do të qëndroni pranë personave privat: deklaratë strehimi, fotokopje të dokumentit të identitetit të firmosur të ftuesit (për shembull nëse është shtetas i huaj: lejen e qëndrimit ‘soxhornon‘ ose faturat për rinovim ‘riçevutat‘; nëse është shtetas italian, pasaportën ose kartën e identitetit; siguracionin për udhëtim i vlefshëm nga data 24.08.2009 deri më 31.01.2010 (i stampuar). Faturë bankare: deklaratë origjinale nga një bankë italiane në Shqipëri (Banca Intesa San Paolo ose BIS Banca - Banca Italiana di Sviluppo), që vërteton derdhjen e pakthyeshme në favor të vetes të shumës 4500 euro. Banka duhet të deklarojë transferimin e kësaj depozite në filialet e saj në Itali. Pakthyeshmëria e derdhjes mund të anulohet vetëm në rast se ambasada italiane deklaron refuzimin e vizës; tërhiqet kërkesa për vizë nga ana e klientit, e vërtetuar kjo nga ambasada.

Përveç dokumentacionit të kërkuar më lart, studentët që janë nën moshën 18 vjeç, bashkë me kërkesën për vizë duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar, si dhe deklaratën noteriale për aprovim të prindërve mbi qëndrimin në Itali për studim të fëmijës, edhe kjo e përkthyer dhe e legalizuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›