E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja më në fund merr kredinë e FMN

Qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës ia doli të marrë këstin e parë të kredisë prej 1.2 miliardë eurosh të akorduar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. FMN e miratoi kredinë dy ditë më parë, pasi Sarajeva zyrtare u tregua e gatshme dhe e besueshme të përballet me pakënaqësitë sociale të krijuara nga programi i kursimeve financiare, i detyrueshëm në këmbim të ndihmës. Kredia do të ketë një afat prej 36 muajsh dhe do të përdoret për të zvogëluar pasojat e krizës financiare ndërkombëtare në këtë vend. Kredia do të shlyhet pasi bota ta ketë kapërcyer krizën. Kësti i parë prej 282 milionë dollarësh u vu në dispozicion të Bosnjës menjëherë.

Republika federative e dalë nga lufta civile e ish-Jugosllavisë, përjetoi rritje të shpejtë ekonomike në vitet e fundit, por kjo gjë nuk mjaftoi për të mbyllur plagët e luftës. Qindra mijërave veteranëve të luftës iu akordua ndihmë ekonomike nga fondet e buxhetit, duke lënë pak hapësirë për kursim dhe investim. Shpenzimet e qeverisë gjatë vitit të kaluar qenë të ekzagjeruara, ndërsa tani vendi përballet me rrezikun e shkatërrimit të stabilitetit financiar. Bosnja ka që pas luftës një monedhë të lidhur me markën gjermane dhe euron me kurs fiks. Kjo politikë garanton stabilitet të çmimeve, por kërkon edhe rigorozitet shumë të lartë në sektorin publik. Marrëveshja me FMN-në e detyron Bosnjën të ulë shpenzimet buxhetore me 300 milionë euro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›