E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakulteti i Infermierisë shpërndan 280 diploma

Godina ku u mbajt ceremonia është e re, është ambienti i ri i fakultetit ku do të ndjekin studimet brezat e ardhshëm, ndërkohë që një tjetër lajm i mirë për pacientët vjen nga ky fakultet.

Për herë të parë u diplomuan profesionistë të shërbimit të fizioterapisë, një bashkëpunim edhe me shtetin belg.

"I janë shpërndarë diplomat 280 studentëve të Fakultetit të Infermierisë në degët fizioterapi, infermieri e përgjithshme, laborator, mami", u shpreh dekani i Fakultetit të Infermierisë, Petrit Bara. Sipas tij, në formimin e studentëve për sa i takon shërbimit të fizioterapisë, ka ndihmuar një bashkëpunim i frytshëm dhe i vlefshëm me qeverinë belge. Ky bashkëpunim është zhvilluar për një periudhë trevjeçare.

Nga ana tjetër, sipas dekanit Bara, duhet theksuar se ka pasur një tjetër risi, e ardhur nga Infermieria. "Këtë vit kemi aplikuar modelin e ri të diplomës. Pas një diskutimi të gjerë dhe të gjatë është vendosur që këtë vit të futej modeli i ri i diplomës, me fotografi, me titullin përkatës", sqaroi Bara.

Rreth dy vjet më parë, spitalet nisën të aplikonin kritere të reja. Sipas sektorit të farmaceutikës, në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", të gjithë infermierët duhet të jenë të kualifikuar, me arsim të lartë dhe të specializuar në fusha të caktuara për të punuar në spitale e qendra shëndetësore. Një pjesë e mirë e infermierëve tashmë kanë kualifikimet përkatëse. Të tjerë, veç viteve të shkollës, kanë kryer specializime të mëtejshme. Ndërkohë që brezat e rinj të infermierëve dalin të formuar dhe arsimuar sipas kritereve të përshtatshme.

Vitet e fundit janë futur kurrikula të reja pranë degës së Infermierisë. Kërkesat për t‘u pranuar në këtë fakultet janë të shumta, jo vetëm nga kryeqyteti, por i gjithë vendi.

Këtë vit janë diplomuar 280 studentë, të cilët kanë shoqëruar këtë proces me një ceremoni zyrtare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›