E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Bie paraja, bankat japin 35% më pak kredi

Oferta monetare, pra paraja në qarkullim, ka pësuar një rënie të dukshme gjatë dy muajve të fundit, dhjetor ‘08-janar ‘09. Ulja e kreditit nga ana e bankave të nivelit të dytë ndikoi në reduktimin e ofertës monetare me 8 për qind, duke i dhënë një tjetër goditje negative ekonomisë shqiptare. Edhe pse interesat e kredisë kanë pësuar ulje të konsiderueshme në krahasim me tre muaj më parë, Banka e Shqipërisë vëren një rënie të kreditimit me rreth 35 për qind. Situata ekonomike në vend paraqitet në përgjithësi pozitive, por BSH u druhet efekteve negative që mund të sjellin vendet e prekura nga kriza, me të cilat Shqipëria kryen aktivitet tregtar. Në këtë pikë, BSH konstaton një zhvlerësim të monedhës lek, me gati 4.2 për qind, kundrejt dy monedhave kryesore, euro dhe dollar. Ndërkaq, të dhënat e muajit janar për ekonominë botërore tregojnë tkurrje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik të shkaktuar nga përçimi i krizës financiare në ekonominë reale. Prirja rritëse e papunësisë, si dhe rënia e indekseve të besimit kanë shtuar rreziqet e një rënieje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik botëror. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, pas zhvillimit të mbledhjes së radhës, vendosi dje të mbajë të pandryshuar normën bazë 5.75 për qind.

Efektet

Efektet e krizës, të cilat lidhen më së shumti me besimin që kanë konsumatorët, kanë krijuar një medalje me dy anë. Ana e parë lidhet me uljen e çmimeve. Inflacioni në janar shënoi nivelin më të ulët, me 2.1 për qind, falë reduktimit të kostos së atyre mallrave që vijnë nga jashtë. Ana tjetër e medaljes paraqet aspektin negativ: uljen e kreditimit, si pasojë e masave shtrënguese të vetë bankave, dhe pse interesat janë reduktuar. Tendenca në rënie e inflacionit është ndikuar nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun botëror, reflektuar dhe në tregun vendas, si dhe nga kushtet e qëndrueshme makroekonomike në vend. Vrojtimet e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve, për tremujorin e fundit të vitit 2008, kanë regjistruar një rënie prej 10 pikë përqindje të treguesit të tendencës ekonomike. Vlera e këtij treguesi pasqyron vlerësimin në rënie të bizneseve për nivelin e prodhimit, punësimit, kërkesës dhe situatës së tyre financiare. Zhvillimet në sektorin e jashtëm tregojnë se në muajt e fundit të vitit 2008, shkëmbimet tregtare u rritën me 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Importet kanë ruajtur ritme të larta rritjeje, prej 16%, ndërkohë që eksportet kanë shfaqur ngadalësim të ritmeve të rritjes, duke ndikuar në thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar.

Paraja

Treguesit monetarë paraqesin ngadalësim të ritmeve të rritjes në muajin dhjetor, duke transmetuar sinjale për një ngadalësim të mundshëm të kërkesës për mjete monetare. Ritmi vjetor i rritjes së parasë së gjerë shënoi rënie në nivelin 8%. Portofoli i kredisë shënoi një ngadalësim të ritmeve vjetore në 35%, e ndikuar nga zgjerimi i ulët mujor që shënoi kredia në muajin dhjetor 2008. Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet e fundit në tregun bankar tregojnë për transmetim të dukshëm të vendimit të fundit të politikës monetare, e cila uli me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit. Në muajin shkurt vërehet se interesat për transaksionet njëditore dhe ato njëjavore reflektuan ulje, po ashtu edhe interesat e letrave me vlerë të qeverisë kanë pasqyruar rënie për të gjitha maturitetet. Të dhënat paraprake për depozitat në lekë tregojnë reduktim të normave të interesit, por gjykohet se kjo është e lidhur dhe me përfundimin e disa ofertave promocionale të janarit, veçanërisht për depozitat afatshkurtra.

Leku

Në tregun e brendshëm valutor vihet re se gjatë muajit janar, në terma nominalë efektive, ecuria e lekut kundrejt shportës së monedhave kryesore ka vazhduar tendencën në kahun rënës. Ndryshimi vjetor i indeksit NEER (kursi nominal efektiv i këmbimit) ka rezultuar në rënie me 4.2 për qind. BSH gjykon se në ecurinë aktuale të kursit të këmbimit ka dhënë ndikim edhe rritja e numrit dhe sasisë së kërkuar nga disa operatorë të veçantë, duke çuar në një përqendrim joracional të kërkesës në këtë periudhë të vitit. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e të gjithë aktorëve në tregun valutor, përfshirë edhe publikun e gjerë, "për të qenë më racional në lidhje me vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kursit të këmbimit".

Vendimi

Licencimi i bankave,

forcohen rregullat

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi dje dokumentin mbi politikat e licencimit të subjekteve bankare, i cili në thelb synon forcimin e rregullores. Banka, nëpërmjet miratimit të këtij dokumenti, synon të mbështesë hyrjen në treg të subjekteve bankare të shëndosha dhe të qëndrueshme: që mbështeten nga aksionerë të fuqishëm dhe me përvojë në industrinë bankare; që zbatojnë standardet më të mira të përgjegjshmërisë në drejtim; që realizojnë një veprimtari të ekuilibruar me rreziqe të miradministruara; që janë në gjendje të përballojnë dhe të zhvillohen në kushtet e konkurrencës së lirë që ofron një treg i hapur dhe i integruar në tregun financiar ndërkombëtar; që janë në gjendje të përballojnë me kapitale dhe likuiditete situatat e krizave, që mbështesin zhvillimin e ekonomisë së vendit dhe që, në mënyrë transparente, i ofrojnë publikut shërbime dhe produkte bankare cilësore dhe eficiente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›