E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Nuk ka ende krizë, por shtrëngoni rripin

Fondi Monetar Ndërkombëtar i dërgoi një mesazh të qartë publik qeverisë. duke kërkuar disiplinë fiskale më shumë sesa rritje të shpenzimeve buxhetore për të përballuar krizën. Në një deklaratë të përgatitur posaçërisht për disa televizione, ish-drejtori i Misionit të FMN-së për Shqipërinë, z.Gerwin Bell, foli për disa ide të hedhura për diskutim gjatë ditëve të fundit, ku më të rëndësishmet janë deklarata e qeverisë se do të rrisë shpenzimet si masë antikrizë dhe kërkesat e disa lobingjeve të biznesit për ulje taksash, për të shpëtuar nga falimenti. Për të dyja idetë, këshilla e FMN-së është "Jo"!

Ndryshim qëndrimi nga FMN-ja

Z.Bell pati deklaruar vetëm dy javë më parë se Shqipëria do të vuajë pasojat e krizës globale dhe se prognoza për rritje ekonomike për vitin 2009 "duhet të rishikohet në ulje", pra do të jetë më e ulët sesa 3.5%.

Dje Bell refuzoi të japë një prognozë. Përballë kërkesave për ndihmë financiare nga industria e këpucëve dhe tekstileve, si dhe asaj të ndërtimit, FMN thotë se Shqipëria do të ketë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, por gjithsesi "vendi ynë nuk mund të konsiderohet në krizë".

Vlerësohet se Evropa Qendrore dhe Lindore, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të pësojë një rënie ekonomike prej 1.4% këtë vit. Vende si Shqipëria preken më pak nga kriza të tilla, apo përfitojnë më pak nga periudha bumi ekonomik, për shkak të integrimit të ulët në ekonominë globale, ose më saktë për shkak të prapambetjes. Rritja e presionit nga ana e lobingjeve të biznesit, si dhe dilemat e qeverisë për të ndihmuar apo jo këto biznese, duket se e kanë shtyrë FMN-në të flasë më me optimizëm. Vetë z.Bell thotë se "duhet të presim disa muaj për të parë shifrat".

Pro-stabilitet, jo pro-konsum

Ndonëse edhe qeveria shqiptare ka deklaruar se vendi ynë nuk është në krizë, sërish ministri i Financave, Ridvan Bode, tha pak ditë më parë se "qeveria do t‘i mbajë të larta shpenzimet buxhetore për këtë vit", si masë për të ndihmuar ekonominë. Sjellja pro-konsum e qeverisë e ka alarmuar disi FMN-në, e cila i druhet rënies së të ardhurave buxhetore dhe ka këshilluar që deficiti buxhetor për këtë vit të jetë "nën 4 për qind të PBB-së". "Është e mundshme që të ardhurat buxhetore të jenë më të ulëta këtë vit", deklaroi Bell, i cili sugjeroi që hendeku i pritshëm të mbushet me të ardhurat nga privatizimi, ndërsa fondi i kontigjencës të mos preket tani për tani. FMN këshillon që qeveria të mos rrisë shpenzimet dhe të ruajë stabilitetin makroekonomik. Rritja e shpenzimeve buxhetore mund të dobësojë më tej lekun. Një nga shkaqet e dobësimit aktual të monedhës shqiptare qe dyfishimi i shpenzimeve buxhetore gjatë dy muajve të fundit të vitit 2008. Nga janari në tetor, buxheti i shtetit shpenzoi mesatarisht 25 miliardë lekë. Por në dy muajt e fundit u shpenzuan mesatarisht 50 miliardë lekë.

Në rast se rritja ekonomike është e ulët, atëherë edhe deficiti maksimal buxhetor duhet të ulet proporcionalisht. Por ministri i Financave, Bode, nuk mendon kështu. "Ne punojmë në bazë të ligjit për buxhetin. Ligjërisht ne nuk mund të kapërcejmë deficitin e përcaktuar në terma absolutë", deklaroi ai së fundmi. FMN shqetësohet se rritja e shpenzimeve buxhetore do të dobësojë stabilitetin makroekonomik. Rënia e të ardhurave buxhetore "ka shumë gjasa të ndodhë", sipas Bell. Çmimi i mallrave të importuara, të cilat qenë burimi i të ardhurave buxhetore gjatë vitit të kaluar, ka rënë. Kur nafta importohej me 1 mijë dollarë toni, qeveria arkëtonte 200 dollarë TVSH, por tani çmimi i këtij produkti ka rënë në më pak se 400 dollarë dhe nuk ka asnjë shans që të ardhurat buxhetore të mos preken.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›