E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Ekonomia shqiptare është rritur, por nën potencialin

 Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit duke e lënë në nivelin e 5 përqindëshit ndërsa thekson se ekonomia shqiptare ka pësuar rritje.

Në një konferencë për shtyp guvernatori Ardian Fullani ka theksuar se gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit ekonomia shqiptare ka pasur rritje por kjo rritje sipas tij ka qënë nën potencialin.

Gjithashtu Fullani ka vlerësuar ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik, duke theksuar punën e bërë nga Banka e Shqipërisë.

“Stabiliteti kontrollon primet e rrezikut dhe është parkusht për nxitjen e investimeve të qëndrueshme. Përballimi i sfidave ka qenë në fokus të punës së bankës gjatë këtij viti”- tha ai, duke shtuar se reformat duhet të orientohen drejt rritjes së konkurrueshmërisë së forcës punëtore dhe produkteve tona në tregjet botërore.

Ai gjithashtu ka theksuar se sistemi bankar është likuid dhe i mirë kapitalizuar ndërsa ka shtuar se fatmirësisht sistemi ynë bankar është fitimprurës. Sipas tij masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë shtuar kapitalin e bankave dhe të mbrohen nga kriza globale.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me mandatin e tij si guvernator, Fullani ka theksuar “ Guvernatori është në detyrë dhe raporti i sotëm tregon që Banka e Shqipërisë është në detyrë për sfidat e të ardhmes”.
 

Ndërsa i pyetur në lidhje me arritjet që Banka e Shqipërisë ka bërë gjatë mandatit të tij, guvernatori Fullani theksoi se BSH-ja ka forcuar pavarësinë institusionale.
 

“Banka e Shqipërisë ka forcuar pavarësinë institucionale, ka përmbushur objektivat e saj për mbajtjen nën kontroll të inflacionit, ka treguar një kujdes të balancave mikro-financiar të vendit, ka treguar një kujdes të veçantë të thellimit të tregut bankar dhe financiar” ka shtuar Fullani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›