E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia dhe tatimorët, kontrolle të rrepta autoboteve me karburant

Aksion për kontrollin e të gjitha autoboteve dhe produkteve të naftës që dalin nga Uzina e Përpunimit të Naftës në Fier. Kontrolli është zhvilluar paraditen e së mërkurës nga antikrimi ekonomik, policia e rendit si dhe punonjësit e degës së tatimeve në Fier. Një prej grupeve të kontrollit është vendosur në rrugën kombëtare Fier-Vlorë, shumë pranë Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier, që është në varësi të kompanisë ARMO. Mësohet se një grup tjetër kontrolli është vendosur në aksin kombëtar Fier-Lushnjë, ndërkohë që forcat më të shumta nga të tria institucionet janë përqendruar në hyrje të Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit dhe të degës tatimore në këtë qytet pohojnë për gazetën se vendimi për kontrollin e të gjitha autoboteve të tonazhit të rëndë ka ardhur pas ankesave të shumta se nga UPN-ja e Fierit dalin ngarkesa nafte dhe nënprodukte të saj pa faturë tatimore. Kontrolli i dokumentacionit ka qenë objekti i kontrollit të papritur të djeshëm. "Është ushtruar kontroll për faturat tatimore me të cilat duhet të lëvizin autobotet me naftë dhe nënprodukte të saj. Po ashtu janë kontrolluar edhe faturat e TVSH-së, si dhe kontratat e blerjes nga subjekti i interesuar për naftë", kanë sqaruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Konfirmohet se janë kontrolluar mbi 20 autobote të ngarkuara me naftë. Kujtojmë se agjentët e krimit ekonomiko-financiar edhe disa muaj më parë kanë ushtruar një kontroll të tillë dhe kanë bllokuar shitjen e naftës dhe nënprodukteve të saj për disa ditë, për shkak të mungesës së faturave tatimore për mallin që shitej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›