E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet në port anija greke me bitum

Një anije e huaj tregtare, e ngarkuar me bitum të lëngshëm, është bllokuar në Portin Detar të Durrësit. Një urdhër i lëshuar nga Autoriteti Portual ka penguar dje procesin e përpunimit të ngarkesës së anijes dhe forcat e sigurisë së Autoritetit Portual kanë bllokuar hyrjen në territorin e portit të mjeteve të transportit të mallit.

Mësohet se anija e bllokuar, "Agia Theodhoria" ka ardhur nga Greqia dhe mbart një ngarkesë prej 2600 tonësh bitum të lëngshëm. Shkarkimi i anijes është penguar nga forcat e sigurisë, të cilat deklarojnë se kanë një urdhër që pengon kryerjen e çdo veprimi të këtij mjeti lundrues.

Në komisariatin e policisë së portit detar shprehen për ngjarjen se bllokimi i mjetit lundrues është bërë nga Drejtoria e Portit për shkak të detyrimeve portuale të pashlyera. Ndërkaq në doganën e Durrësit nuk janë në dijeni të kësaj situate.

Kryetari i doganës, Arben Ibroja, thotë se nuk ka asnjë informacion për këtë rast dhe se veç institucionit që ai drejton, ka autoritete të tjera që mund të ndërmarrin masa bllokuese ndaj mjeteve lundruese tregtare. Përveç informacionit që përcjell komisariati i policisë për mosshlyerje të detyrimeve ndaj APD-së nga anija, për pritësit e mallit nuk janë ende të qarta motivet e mbajtjes peng të veprimtarisë përpunuese të anijes.

Përfaqësuesi i mallit, Ervin Rista, i shqetësuar për situatën e krijuar dje në port, është shprehur se nuk e kupton bllokadën që është vënë nga forcat e sigurimit portal. Kompania që ai përfaqëson i ka shlyer të gjitha detyrimet doganore dhe ndryshe nga sa deklarohej, atij i është thënë vetëm se urdhri, i cili ka bllokuar futjen e mjeteve motorike në territorin portual dhe përpunimin e mallit, ka dalë nga Ministria e Transporteve.

Anija është ankoruar në kalatën portuale nr.1, ku që dje qëndron e bllokuar, në pritje të urdhrit të mëtejshëm që do të shfuqizonte të parin dhe do t‘i hapte rrugë përpunimit të shpejtë.

Mësohet se anija "Agia Theodhoria" me flamur panamez, vjen nga Greqia e ngarkuar me bitum, për llogari të kompanisë ARMO dhe çdo vonesë në përpunim rrit koston ekonomiko-financiare të palës porositëse.

Ndërkaq, në anën tjetër të portit të qytetit bregdetar, në kalatën lindore, është ankoruar një tjetër anije e huaj tregtare me ngarkesë bitumi. Ndryshe nga anija greke, "Asfaltar" me port regjistrimi Sant Vincent, ka vazhduar normalisht me shkarkimin e mallit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›